Onudc: Trafiku I Qenieve Njerëzore Sjell 2,5 Miliardë Euro Në Vit Në Evropë
VJENË, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Trafiku i qenieve njerëzore në Evropë u sjell rreth 2,5 miliardë euro në vit organizatave kriminale, që i detyrojnë pjesën më të madhe të viktimave të prostituojnë, njoftoi Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër drogës dhe krimit, ONUDC.
"Trafiku i qenieve njerëzore është një nga tregtitë e paligjshme më fitimprurëse në Evropë", bëri të ditur ONUDC në një raport.
"Më tepër se 140 000 viktima janë të burgosur të një rrethi vicioz dhune, abuzimesh dhe skllavëre në të gjithë Evropën, që nuk ka shenja rënieje të numrit të viktimave", vazhdon ONUDC.
Përqindja e prurjeve të reja, 50 për qind, nënkupton se 70 000 persona të tjerë janë viktima të trafikantëve të qenieve njerëzore çdo vit.
Rreth 84 për qind të viktimave shfrytëzohen në rrethe prostitucioni.
"Viktimat në përgjithësi mashtrohen ose detyrohen të vihen në shërbim të trafiqeve të paligjshme që i vendosin dhe i burgosin viktimat në një 'hapësirë ku ato u nënshtrohen represionit dhe abuzimeve nga ku është e vështirë të dalësh", bëri të ditur ONUDC.
Më tepër se gjysma e viktimave është nga Ballkani dhe Rusia, edhe pse në disa vende, shtetasit e Azisë janë më të shfrytëzuarit.
"Evropianët mendojnë se skllavëria është hequr prej shekujsh. Por, shihni rreth vetes: skllevërit janë mes nesh", deklaroi drejtori i ONUDC Antonio Maria Costa.
"Duhet të bëjmë më tepër për të zvogëluar kërkesën për produktet e bëra nga skllevër dhe nga shfrytëzimi i tyre", vazhdoi ai.
Ndjekjet penale kundër trafikantëve të qenieve njerëzore mbeten të kufizuara në Evropë, shpreh keqardhjen agjencia e OKB-së, selia e të cilës është në Vjenë.
Përqindja e grave në rrjetet e trafikantëve është më e lartë se sa për krimet e tjera: ato shërbejnë si ndërmjetëse dhe ndihmojnë në kapjen e viktimave në mënyrë që t'i shpëtojnë skllavërisë për veten e tyre, thekson ONUDC në raportin e saj.
Shumica e personave janë viktima të një organizate kriminale të vendit të tyre, shton ONUDC.
/I.Pu.