Opinion/ Artan Hoxha: Gjykatat Administrative Premtojnë Më Shumë Drejtësi, Kosto Më Të Pakët
TIRANË, 30 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, ish-ministër dhe ekspert i njohur i çështjeve ekonomike, Artan Hoxha vlerëson se, gjykatat e ardhshme administrative do të premtojnë më shumë drejtësi, me kosto më të pakët e në një kohë më të shkurtër.
Në një opinion eskluzivisht për ATSH-në, eksperti Hoxha analizon projektligjin "Për gjykatat administrative", i parashikuar të votohet nesër në Kuvend, duke pohuar se konfliktet administrative, veçanërisht ato mes biznesit dhe shtetit, zënë peshë të konsiderueshme në çështjet gjyqësore, ndërsa trajtimi i tyre nga sistemi gjyqësor sot, bëhet duke u bazuar në disa nene të kodit të procedurave civile, apo dhe nga gjykatat civile e seksionet e tyre tregtare administrative.
"Procedura gjyqësore është e varfër, shkalla e specializimit e ulët dhe procesi i zgjatur. Të gjitha këto kushtëzojnë një vendimmarrje gjyqësore jo cilësore dhe me kosto administrative e kohore, qoftë për biznesin qoftë për administratën", spjegon Hoxha.
Sipas tij p/ligji, i njohur me emërtimin mediatik, "Për gjykatën administrative", propozon ngritjen e një sistemi gjykatash të dedikuara vetëm për konfliktet administrative, ku ideja bazë është se specializimi premton cilësi.
Gjithashtu, p/ligji propozon nje procedurë të detajuar, të qartë dhe tepër të shpejtë në kohë, bazuar në hapa procedurialë të dallueshëm e të matshëm. Ndërkaq, drafti është mbështetur edhe nga një projekt gjigand, i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane për trainime të gjyqtarëve të ardhshëm administrativë, si dhe modernizimin e mjeteve dhe teknologjisë, në dispozicion të gjykatave të ardhshme administrative.
Eksperti Hoxha thekson se një nga rregullimet më kryesore të këtij p/ligji është ai i kalimit të barrës së provës nga biznesi/qytetari tek administrata. "Sot, nëse administrata tatimore vendos një gjobë, a detyrim shtesë ndaj një biznesi, i takon këtij të fundit të provojë para gjyqtarit se administrata ka gabuar. Me ligjin në fjalë, kjo barrë do t'i takojë administratës dhe ky nuk është as një ndryshim simbolik dhe as estetik, por një ndryshim thelbësor me efekte të fuqishme në ekuilibrimin e forcës së palëve në gjetjen e drejtësisë", shprehet z. Hoxha.
Ai beson, se në sintezë, gjykatat e ardhshme administrative të ngritura dhe që do të funksionojnë sipas këtij ligji, në rrethana të tjera të njëjta dhe pa pretenduar përsosmëri, premtojnë më shumë drejtësi, si dhe arritjen e saj me më pak kosto e në kohë më të shkurtër.
"Nga këndvështrimi ekonomik, kjo do të thotë risk, pasiguri, dhe kosto më të ulët që shndërrohet në më shumë investime dhe veprimtari ekonomike private. Nga ana tjeter një drejtësi e tillë, shndërrohet në presion për një vendimmarrje administrative të përmirësuar, e që nga ana e saj, shndërrohet në faktor pozitiv ekonomik. Thënë shkurt, nxitet hyrja në një spirale nxitëse pozitive për ekonominë dhe administratën", vlerëson Hoxha.
Ai komenton dhe qëndrimin e opozitës, e cila është deklaruar se do ta kushtëzojë votimin për ligjet që kërkojnë 84 vota (përfshi këtu dhe draftin në fjalë), me kërkesën e saj për transparencën e zgjedhjeve.
"Opozita është e lirë në zgjedhjen e saj. Ajo mund të propozojë amendime ndryshuese, shpresoj të jenë përmirësuese për ligjin, dhe ta votojë atë ashtu; siç edhe mund të mos japë konsensus, gjë që ka gjasa të ndodhë. Lidhja e votimit të këtij ligji me hetimin parlamentar është e pakuptimtë. Në këtë rast të dytë do të humbasë edhe Shqipëria edhe opozita", vlerëson eksperti Hoxha.
P/ligji për gjykatat administrative, i depozituar në parlament prej gati dy vjetësh, ende nuk ka marrë miratimin e Kuvendit për shkak se opozita ka refuzuar ta votojë atë. Në seancën e fundit të legjislaturës së kaluar (maj 2009), pak para votimit të draftit, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar (84 vota), opozita bojkotoi punimet parlamentare duke e mbajtur peng projektin aq të rëndësishëm për biznesin.
Përgjatë më shumë se një viti, komuniteti i biznesit ka apeluar fort tek përfaqësuesit e majtë në parlament, që të japin konsensusin për ngritjen e gjykatave administrative. Bojkotimi i zgjatur i Kuvendit nga opozita, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, shtyu shumë në kohë miratimin e p/ligjit. Ndërkohë, që me futjen me kohë të plotë të opozitës në parlament maxhoranca rifuti në axhendën parlamentare një numur p/ligjesh, miratimi i të cilave kërkon dhe votën e opozitës./n.m/