Shkup, 30 Qershor, NOA – Derisa të gjitha partitë politike opozitare janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, BDI por edhe VMRO-DPMNE janë duke taktizuar lidhur me mbajtjen e tyre.
Partitë politike opozitare kanë shtuar zërat për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të bllokimit të proceseve euro-integruese dhe moszgjidhjes së kontestit të emrit.
Të gjitha partitë opozitare shqiptare janë shprehur gjithashtu për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga Demokracia e Re, PDSH, BDK dhe partitë e tjera janë të gatshëm për të hyrë në garën zgjedhore.
“Nëse qeveria aktuale vazhdon kështu, atëherë sigurisht se prioritet do të jenë zgjedhjet e parakohshme, edhe pse ato në këtë moment janë të padobishme për Maqedoninë”, ka theksuar deputetja e DR-së, Flora Kadriu.
Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) gjithashtu vlerëson nevojën e zgjedhjeve, për shkak të ndryshimeve që duhet të pasojnë, sidomos në avancimin e çështjes së shqiptarëve.
“Ka shumë manovrime të partive për zgjedhje ose jo. Pavarësisht se a do të mbahen apo jo zgjedhjet e parakohshme, partitë shqiptare duhet të shohin interesin e tyre. Andaj nëse ne kemi interes për zgjedhje të tilla, atëherë edhe si BDK do ti përkrahim ato”, ka theksuar kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri.
Nga ana tjetër, BDI shihet si faktori kyç për të çuar ose jo vendin drejt zgjedhjeve. Burime pranë kësaj partie kanë theksuar se lideri i tyre është në kontakt me faktorin ndërkombëtar dhe do të vlerësohet çdo situatë për të shkuar në zgjedhje ose jo.
Nga kjo parti theksojnë se prioritet i tyre mbeten tre kërkesat për tu realizuar si Sopoti, rastet e Hagës si dhe Ligji për U]K-në, duke përfshirë edhe zgjidhjen e emrit dhe zhbllokimin e proceseve eurointegruese.
“Ne kemi prioritet tona dhe jemi kundër këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar për momentin se përse të shkojmë në këto zgjedhje dhe cili është interesi. Ne kemi përpara detyrimet që do ti realizojmë, ndërsa është normale që opozita të kërkojë zgjedhje”, ka theksuar deputeti i BDI-së, Safet Neziri.
Fronti për mbajtjen e zgjedhjeve kryesisht është hapur nga LSDM-ja, e cila pas mitingut të së dielës bëri të ditur për fillimin e betejës për të çuar vendin drejt zgjedhjeve, pas nëntorit të këtij viti.
"Nuk planifikohen zgjedhje të parakohshme", deklaroi të hënën kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të ketë zgjedhje para apo pas nëntorit, siç kërkon LSDM-ja opozitare.
NOA-INA