Pd:Gati Komisioni Hetimor Për Zbardhjen E Masakrës Së Tivarit
T
- Grupi Parlamentar i PD-së mbledh firmat e deputetëve -
TIRANË, 30 Qershor/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike po mbledh firmat për krijimin e një komisioni hetimor, që do të ndriçojë masakrën e Tivarit, në të cilën u ekzekutuan pa gjyq mijëra shqiptarë të Kosovës, gjatë pranverës së vitit 1945.
Sipas deputetëve nismëtarë, komisioni do të ketë në përbërje 13 anëtarë, prej të cilëve 7 do t'i përkasin mazhorancës dhe 6 opozitës. Sipas ligjit "për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore", Partisë Demokratike i takon të ketë edhe kryetarin e këtij komisioni.
Nisma pritet të depozitohet nesër në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe shumë shpejt, pritet të kalojë në seancë plenare për miratim. Afati i veprimtarisë së këtij komisoni është parashikuar njëvjeçar, nisur nga rëndësia e ngjarjes, nga koha e gjatë që ka kaluar, si dhe nga përpjekjet e mëdha në vite për ta lënë atë në errësirë.
Komisioni do të hetojë për zbardhjen e plotë të fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive, që çuan në masakrën e Tivarit. Qëllimi i tij kryesor do të jetë edhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale, të atyre që me veprimet dhe mosveprimet e tyre ndihmuan në ekzekutimin e mijëra shqiptarëve.
Një tjetër pikë e objektit hetimor do të jetë edhe qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj kësaj masakre të pashembullt gjatë viteve 1945-1990 si dhe përpjekjet e qëllimshme për të fshehur të vërtetën rreth saj./a.s//n.m/