English

Pedofili - Një Tjetër Akuzë Në Shba Kundër Selisë Së Shenjtë

NJU JORK, 30 qershor /ATSH-ANSA/ - Avokati Jeff Anderson, i cili është vënë në mbrojtje të shumë viktimave të abuzimeve seksuale nga ana e priftërinjve në Shtetet e Bashkuara, është rikthyer në qendër të vëmendjes me një tjetër çështje. Në fakt, pasi mori dritën jeshile nga Gjykata e Lartë e Uashingtonit për procesin kundër Vatikanit në një çështje pedofilie të Oregonit, sot ai e denoncoi Selinë e Shenjtë për një tjetër rast pedofilie, kësaj radhe në Kaliforni. Akti ligjor, në emër të një personi i cili u ngacmua seksualisht nga një prift i rendit salezian, Titian Miani, është i pari pasi gjykatësit e Uashingtonit e refuzuan kërkesën e Selisë së Shenjtë për t'i dhënë Vatikanit dhe përfaqësuesve të tij më të lartë imunitetin e Shteteve sovrane në bazë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara. Ky vendim i hapi rrugën përfshirjes së Vatikanit, dhe jo vetëm klerëve lokalë të kishës, në proceset civile për çështjet e abuzimeve me të miturit nga ana e priftërinjve. Akti i fundit ligjor e akuzon Vatikanin, drejtuesit e urdhrit të salezianëve dhe peshkopëve të një shkolle në Bellflower në Kaliforni se kanë mbuluar ngacmimet seksuale të Mianit, i cili thirrej nga nxënësit si "at Xhimi". Miani sot është 83 vjeç dhe në vitin 2003 u arrestua për një tjetër çështje pedofilie e cila më pas u arkivua. Megjithatë Miani është akuzuar edhe herë të tjera. Në vitet dyzetë ai u akuzua për ngacmime seksuale me një të mitur 13 vjeçar në Itali, më pas në një kolegj salezian (institute shkollore fetare vetëm për djemtë) në Edmonton të Kanadasë dhe më pas në dioqezën e Stocktonit në Kaliforni. Sipas Anderson "Vatikani ishte informuar por Papa dhe Kongregacionit për Doktrinën e Besimit nuk e shkarkuan nga detyra priftin pedofil". Në akuzë pohohet gjithashtu se urdhri i Salezianëve ishte informuar për tendencat pedofile të Mianit, por megjithatë prifti u transferua në Bellflower ku sërish ishte pranë nxënësve, pa i informuar këta të fundit ose familjet e tyre për të kaluarën e tij. /e.v/
KOMENTE