Policia: Siguria Publike Kërkon Bashkëpunimin E Të Gjithë Aktorëve
TIRANË, 30 Qershor /ATSH/ - Policia e kryeqytetit kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, qytetarëve si dhe medias, për sensibilizimin qytetar në drejtim të respektimit të normave ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë publike, shmangien e zhurmave, parkimeve të gabuara të mjeteve pranë shkollave etj.
Në vijim të masave të marra gjatë ditëve të fundit për zhvillimin normal të proçesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në qytet e bashkitë e Qarkut të Tiranës, Policia informoi për masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe rritjen e masave të sigurisë në shkollat dhe në vendet e akomodimit të nxënësve.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia e kryeqytetit informoi të mërkurën për ATSH-në se për mbarëvajtjen e proçesit mësimor, përveç strukturave të Rendit dhe Qarkullimit Rrugor, janë angazhuar edhe Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe Kundër Krimeve ndaj Personit.
Me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimit ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme etj, do të rritet bashkëpunimi edhe me drejtuesit, stafin pedagogjik të shkollave, Drejtoritë Rajonale Arsimore të qytetit dhe Qarkut Tiranë, si dhe do të patrullohet më shpesh brenda dhe pranë shkollave të mesme dhe 9 - vjeçare./m.sh//a.ke/