Poloni - Zgjedhje - Sondazh: Komorowski Ka Një Avantazh Prej 9,5 Për Qind Katër Ditë Përpara Turit Të Dytë
VARSHAVË, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Kandidati liberal Bronislav Komorowski ka një avantazh prej 9,5 për qind ndaj rivalit të tij, konservator Jaroslaw Kaczynski, katër ditë përpara turit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Poloni, mësohet nga një sondazh i publikuar sot.
Komorowski, kryetar i Dhomës së Ulët të parlamentit dhe kryetar i përkohshëm shteti, mendohet të marrë 52,1 për qind të votave, kundrejt 41,6 për qind që do të marrë Kaczynski, vëllai binjak i presidentit të ndjerë polak dhe kryetar i partisë së opozitës E Drejta dhe Drejtësia, PiS, njofton ky sondazh i realizuar nga instituti Homo Homini me 1 071 persona për të përditshmen e djathtë "Dziennik Gazeta Prawna".
"Sipas këtij sondazhi, përqindja e të pavendosurve është 3,2, ndërsa 3,1për qind e të pyeturve mendojnë të mos bëjnë asnjë zgjedhje.
Në turin e parë të zgjedhjeve, më 20 qershor, Bronislaw Komorowski mori 41,22 për qind të votave dhe rivali i tij Kaczynski doli në vendin e dytë me 36,74 për qind të votave.
Kandidati i majtë Grzegorz Napieralski, i cili doli i treti me një rezultat të paparashikuar prej 13,7 për qind, u shpreh dje se e lë në dëshirë të zgjedhësve rezultatin për turin e dytë.
Zgjedhjet presidenciale u organizuan pas vdekjes së presidentit Lech Kaczynski, vëllai binjak i Jaroslaw Kaczynskit, në një aksident ajror më 10 prill pranë Smolenskut në Rusi.
Sot në mbrëmje, të dy kandidatët do të marrin pjesë në një debat televiziv.
/I.Pu.