English

Pranimet Në Akademinë E Arteve Dhe Sporteve, Konkurset Në Shtator

TIRANË, 30 Qershor/ATSH/.- Konkurset e pranimit për kandidatët që duan të studiojnë në degët e akademive sportive apo artistike, do të zhvillohen gjatë muajit shtator, ndryshe nga vitet e kaluara kur këto testime kryheshin në korrik. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shtyrja e datave të konkursit nuk shfaq asnjë pengesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të fitojnë statusin e studentit. Gjatë këtyre ditëve pritet që pranë këtyre strukturave të arsimit të lartë publik të dërgohet edhe shkresa zyrtare për aprovimin e këtyre ndryshimeve. Mbi bazën e kësaj shkrese do të përcaktohen edhe datat e regjistrimit për ata që duan të marrin pjesë në konkurset e pranimit. Në rregulloren e provimeve të 2010-ës, përcaktohet se "kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan mund të konkurrojnë në këto institucione pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet detyrimisht të plotësojnë formularët përkatës". Edhe pse konkurset do të zhvillohen në shtator, kandidatët që do të aplikojnë për këto degë duhet detyrimisht që të plotësojnë formularin e preferencave gjatë muajit korrik. Ata që nuk e plotësojnë formularin A2 sipas afateve të përcaktuara, do të humbasin të drejtën për t'u pranuar në shkollat e larta publike për vitin akademik 2010-2011. Megjithatë, gjatë plotësimit të formularit, këta kandidatë do të duhet të listojnë si dhjetë preferenca vetëm ato programe që ofrohen nga akademia. Përjashtim në këtë rast do të bëjnë ata kandidatë të cilët që në momentin e plotësimit të formularit A1, janë regjistruar për të dhënë edhe provimet me zgjedhje. Kjo kategori aplikuesish ka të drejtë që në renditjen e preferencave të listojë edhe ato degë që janë pjesë e universiteteve të tjera publike. Sipas propozimeve të bëra deri më tani për të tre fakultetet përbërëse të Akademisë së Arteve do të pranohen rreth 250 kandidatë, të shpërndarë sipas degëve. Edhe kandidatët që kanë përzgjedhur si degë arkitekturën për ndjekjen e studimeve të larta, veç provimeve me zgjedhje do t'i nënshtrohen edhe konkursit special. Marrja e pikëve maksimale në këto konkurs do të përcaktojë edhe kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet e larta pranë Akademisë së Arteve, të Sportve dhe në Fakultetin e Arkitekturës. Sipas rregullores, pjesa speciale zë rreth 80 për qind të peshës së renditjes së kandidatëve fitues për universitetet, ndërsa 20 për qindëshi i mbetur i takon notës mesatares./e.gj/ s.s./
KOMENTE