Tiranë, 30 qershor, NOA – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramos Ruçi deklaroi para pak minutash se Partia Socialiste do të rinisë protestat në shtator.
Këtë vendim, të cilin pak ditë më parë vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e theksoi në një nga daljet e tij mediatike, e ka marrë sot grupi parlamentar në mbledhjen e përjavshme.
Vendimi për të dalë në protesta në muajin shtator, sipas deputetit Ruçi nënkupton se qysh përpara rinisjes së protestave Partia Socialiste dhe opozita do të kushtëzojnë marrëdhëniet e tyre me Kuvendin.Kreu i Grupit të PS-së, Ruçi nuk ka dhënë detaje se ç’nënkuptojnë deputetët socialistë dhe opozita me qëndrim të kushtëzuar ndaj parlamentit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, tha se Partia Socialiste, nga nesër e tutje, nuk do japë konsensus për asnjë ligj që do të shkojë në Kuvendin e Shqipërisë për tu miratuar.
Pas, deputetit Taulant Balla një ditë më parë, duket se qëndrimi i Partisë Socialiste për të mos pranuar ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Berisha për reformat e rëndësishme dhe mbi të gjitha ligjin për reformën zgjedhore, është tashmë unanim.
mit/NOA