Qsut-Përurohet Qendra E Hemodializës Për Fëmijë Në Spitalin Pediatrik
TIRANË, 30 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Ngritja dhe funksionimi i qendrës së hemodializës për fëmijë në Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë do t'u shërbejë jo vetëm pacientëve të vegjël të shtruar në këtë shërbim, por dhe në gjithë sistemin shëndetësor shqiptar.
Projekti për ndërtimin e kësaj qendre u mundësua me financimin prej 350 mijë euro nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, TIKA.
"Ky kontribut modest është kontribut për miqësinë historike midis dy popujve tanë. Falë këtij bashkëpunimi popujt shqiptar dhe turk, siç e kanë ndërtuar së bashku të kaluarën e tyre, ashtu do të ndërtojnë së bashku dhe të ardhmen, duke bashkëpunuar në shumë fusha, kryesisht në shëndetësi", tha sot në përurimin e kësaj qendre drejtori i TIKA-s, Musa Kulaklikaya.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vlerësoi se "hapja e shërbimeve të reja të munguara më parë do të thotë më shumë shëndet dhe më shumë jetë njerëzish në mënyrë të veçantë për patologjitë delikate si ato që trajtohen me hemodializë".
Duke cilësuar se standardi i shërbimit dhe pavionit është bashkëkohor, në nivelet e strukturave simotra në Turqi e në vendet e tjera, ai tha se "pacientët shqiptarë në strukturat publike do të vazhdojnë të gjejnë gjithnjë e më shumë shërbime ekselence".
Javët që vijnë, sipas tij, në këtë qendër do të ketë inagurime të tjera dhe mbyllje të cikleve të plota të trajtimit dhe diagnozës në mënyrë shkencore dhe nivel universitar, duke afruar gjithnjë e më shumë shëndetësinë që po reformohet drejt standardeve më të mira bashkëkohore.
Me këtë rast, Vasili përcolli falenderim për stafin e drejtuesit e QSUT-së dhe TIKA-n, falë financimit të së cilës dhe idesë për të mbështetur shërbimin shëndetësor, u mundësua kjo qendër.
Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi veçoi trajtimin e këtij grupi pacientësh, që përbën sektorin më dinamik në zhvillimet e QSUT-së vitet e fundit. Sipas tij, "rritja e ndjeshme e kapaciteit të pacientëve që marrin dializë, transplant dhe së fundi ky shërbim janë demonstrim i vëmendjes dhe punës serioze".
Ky projekt është vetëm një pjesë e kontributeve të TIKA-s në shëndetësi. Një projekt tjetër i rëndësishëm, sipas drejtorit të TIKA-s, është krijimi i bankës së gjakut në rajonin e Vlorës, që tashmë ka përfunduar e është në shërbim të popullit shqiptar. "Së afërmi do të përfundojë projekti ynë për modernizimin e disa qendrave të urgjencës në disa qytete të Shqipërisë", tha Kulaklikaya.
Ai theksoi se "TIKA inkurajon dhe bashkëpunimin e kontaktet midis mjekëve shqiptarë dhe turq, pjesëmarrjen në konferenca simpoziume të ndryshme, programe trajnimi në spitalet turke për mjekë shqiptarë". Ndërkohë, TIKA po punon me një projekt këshillimor për projektet laboratorike në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndërsa u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet shëndetësore, drejtori i TIKA-s shprehu gatishmërinë për të kontribuar në të adhmen në këto drejtime.
Qendra e Hemodializës për fëmijë është e pajisur me 7 aparate dialize, 6 prej të cilëve në punë dhe 2 rezervë, me krevate të dializës, sistemin e filtrimit të ujit, gjenerator, kolltukë për dializën, peritoneale, mobilizimin dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për komplikacione të mundshme.
Për realizimin e këtij shërbimi janë trajnuar për një periudhe 2-mujore tre infermirë dhe 2 mjekë, që do të punojnë në këtë qendër./n.m/