English

Sarandë: Takim Për Prezantimin E Skemës Së Pensioneve Private

SARANDË, 30 Qershor /ATSH-Telnis Skuqi/- Reforma e pensioneve në Shqipëri, në lidhje me pensionet private, ishte objekti i diskutimit në një takim të zhvilluar nga kompania e sigurimeve, SIGAL, në Sarandë. Drejtori i degës së kompanisë SIGAL në Sarandë, Sajmir Bajramaj, i konsideroi pozitive zhvillimet aktuale në sistemin e sigurimeve, tregu i të cilave, sipas tij, po rritet dhe po zhvillohet së bashku me zhvillimin e ekonomisë në jug të vendit. "Një nga produktet që ofrojnë kompanitë private (të sigurimit) janë pensionet private, nëpërmjet të cilëve mendojmë të sigurojnë e garantojnë një jetë më të qetë financiare moshës së tretë", tha Bajramaj. Drejtori i Përgjithshëm i IPP CAPITAL, zoti Naim Hasa, njohu të pranishmit e takimit me zhvillimet e fundit të sistemit të pensioneve në Shqipëri. Në fjalën e tij, Hasa tha se Kuvendi i Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, miratoi ligjin "Për Fondet e Pensioneve Vullnetare". "Ky ligj, me dëshirën e mirë për të zhvilluar pensionet private bën një ndryshim rrënjësorë në fushën e organizmit, administrimit dhe funksionimit të këtyre fondeve, duke rritur sigurinë dhe garancinë", pohoi Hasa. Hasa theksoi se miratimi i këtij ligji ishte një kërkesë imediate e shoqërisë shqiptare, pasi, sipas tij, kjo zgjidh problemet financiare që përballon buxheti i shtetit, si dhe shmangë diferencat e mëdha midis pensioneve dhe pagave. "Çdo individ kur del në pension, megjithëse ka paguar një jetë të tërë, merr vetëm 30-35 përqind të pagës së tij të fundit në formë pensioni. Aplikimi i pensioneve private është një hap i rëndësishëm për ngushtimin e diferencave të mëdha në masën e pensionit", thotë Hasa, duke shtuar se tashmë jo vetëm punonjësit e sektorit buxhetor, por edhe ato privat duhet të mbulohen me këtë sigurim të ri. Në këtë takim disktuan edhe përfaqësues të biznesit, emigrantëve, të cilët shtruan nevojnën e një fushate të gjerë sensibilizuese, me qëllim që të dihet si nga punëdhënësit, punëmarrësit dhe nga emigrantët, që pjesëmarrja në këto fonde, nëpërmjet lehtësirave fiskale, të shoqërohet pa kosto financiare./ch/
KOMENTE