English

Shënim - Gjermani - Merkel Dështon Edhe Në Përpjekjen E Dytë Për Zgjedhjen E Wulffit Në Postin E Presidentit

BERLIN, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane, Angela Merkel dështoi sot në përpjekjet e saj për të zgjedhur në turin e dytë kandidatin Christian Wulff për presidencën gjermane, një dështim i turpshëm që tregon tensionet në koalicion. Një tur i tretë do të zhvillohet në mbrëmje. Zgjedhja e presidentit gjerman u bë në fshehtësi, por pjesa më e madhe e zgjedhësve përfituan për të treguar pakënaqësitë e tyre ndaj kancelares dhe koalicionit të saj qeveritar të qendrës së djathtë në detyrë që prej muajit tetor. As në turin e parë dhe as në turin e dytë, Wulff, 51 vjeç, kristiandemokrat (CDU) dhe deri tani kryeministër i rajonit të Saksonisë së Poshtme nuk arriti të marrë shumicën absolute të votave nga asambleja federale, kolegji me 1 244 zgjedhës. Në turin e dytë, ai mori 615 vota nga 490 vota për kandidatin socialdemokrat, Joachim Gauck, 70 vjeç dhe 123 vota për kandidaten e Die Linke (ektremi i majtë), Lukrezia Jochimsen. Kandidati i neonazistëve (NPD) mori tre vota. Në turin e tretë shumica relative mjafton. Kandidatit Wulff i mungonin 23 vota në turin e parë dhe tetë vota në turin e dytë. "Ky duket një puç", komenton në edicionin on-line e përditshmja ''Der Tagesspiegel''. E përditshmja ''Handelsblatt'' e shikon këtë përmbysje një votëmosbesimi kundrejt Merkel ndërkohë që për të përditshmen ''Bild'', situata e saj do të jetë seriozisht e degraduar nëse këto zgjedhje fitohen nga Gauck./ /ec/ a.jor.
KOMENTE