English

Shkelja e rregullave të qarkullimit, emigrantët shpërfillin Kodin Rrugor

Furi kontrollesh për shkelje të Kodit Rrugor, policia kërkon shlyerjen e gjobave

Tiranë, 30 Qershor 2010 NOA - Shërbimet e Policisë këto ditë kanë nisur valë kontrollesh duke prerë deri në 800 gjoba në ditë si masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor kurse janë pezulluar dhe një numër i madh lejesh për drejtim automjeti.

Burimet policore i thanë Agjencisë NOA se në këtë sezon turistik që ka nisur, konstatohen shumë emigrantë të mbërritur, por një pjesë e mirë e tyre, ndonëse në vendet ku jetojnë zbatojnë rigorozisht Kodin Rrugor për shkak të sanksioneve të shumta, kur vijnë në Shqipëri, “lëshohen” duke shpërfillur shpesh rregullat e qarkullimit.

Këtë e pohojnë dhe vetë emigrantët. Disa prej tyre, të pyetur nga NOA thonë se vetë kushtet e rrugëve në vend dhe mënyra si respektohen minimalisht rregullat e qarkullimit nga shumë shoferë, i imponojnë të “lëshohen” duke shkelur herë-herë rregullat, dhe pse janë të vetëdijshëm se mund të gjobiten.

Nga ana tjetër, shumë emigrantë pohojnë se përpos infrastrukturës ende të keqe që kanë rrugët në Shqipëri, sidomos ato në zonat e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut që rrihen shumë në verë, edhe parkimi është një problem më vete, ku rrugët e zgjidhjes duken të jenë ende shumë larg.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës thotë se Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë, shohin si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke i ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pohon se po vazhdojnë kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, dhe i fton ato të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare.

“Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore”, - thotë Alma Katragjini, zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.

Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.

“Në sajë të rritjes së prezencës së Policisë në rrugë, kontrolleve të shumta të ushtruara do të vazhdojnë në vijimësi, për zbatimin e detyrave që lidhen me Programin e Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit «Për rritjen e sigurisë rrugore për vitin 2009» si dhe Programin e Punës e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundravajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre”, - thotë Katragjini.

Ajo evidenton se njëherësh, shërbimi i Policisë së Tiranës, fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.

r.n/NOA

KOMENTE