Shkodër, Universiteti "Luigj Gurakuqi" Dhe Ai Soloturn I Zvicrës, Bashkëpunim Në Fushën E Edukimit Artistik
SHKODËR, 30 Qershor/ATSH-G. Marku/- Universiteti Soloturn i Zvicrës ka dhuruar sot pajisje dhe fonde për përmirësimin e infrastrukturës së Dhomës së Artit në Fakultetin e Edukimit në Universitetin "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, në kuadër të bashkëpunimit që është vendosur 5 vite më parë mes këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë.
"Ky është një projekt bashkëpunimi për artin dhe edukimin global, që po zbatohet mes universitetit të Shkodrës dhe atij të Soloturn të Zvicrës", tha dekani i Fakultetit të Edukimit, Mit'hat Hoxha.
Fillimisht ky bashkëpunim ka qënë kryesisht në nivel drejtuesish dhe stafeve pedagogjike përkatëse në shkëmbimin e përvojës, ndërsa më vonë është zgjeruar, duke qënë shumë më aktiv në përfshirjen edhe të vetë studentëve të departamentit përkatës.
Gjatë aktivitetit të sotëm, organizuar në Dhomën e Artit të Universitetit të Shkodrës, drejtuesit e Universitetit të Zvicrës i dorëzuan dekanit Hoxha një çek bankar me vlerë 5 mijë euro, që do të shërbejë në ndihmë të përmirësimit të infrastrukturës së këtij fakulteti.
Hoxha thekson se Dhoma e Artit është ngritur nga vetë universiteti, ndërkohë që shuma e dhënë nga miqtë zvicerianë do të shërbejë për plotësimin e mëtejshëm të infrastrukturës me aparaturat e duhura, duke ndikuar për një kualifikim edhe më të mirë të studentëve tanë.
Krahas kësaj, universiteti zvicerian i dhuroi universitetit të Shkodrës edhe nëntë kompjutera, si dhe pajisje të tjera ndihmëse në shërbim të kësaj dhome arti.
Ceremona e dhurimit të ndihmave u shoqërua dhe me një workshop, i drejtuar nga pedagogët zvicerianë dhe me pjesëmarrjen e studentëve të dy universiteteve.
Bashkëpunimin e deritashëm me homologët zvicerianë, dekani Hoxha e konsideron si mjaft të rëndësishëm, ndërkohë që ka shprehur besimin se një nismë e tillë do të vijojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës të jetë në gjendje të nxjerrë studentë sa më të përgatitur./s.s./