Shkurt Nga Rrethet, Kronikë - 30 Qershor
* Mbanin armë pa leje, arrestohen pesë persona
DURRËS - Forcat e policisë së Durrësit gjatë 24 orëve të fundit kanë arrestuar pesë persona, të cilëve iu gjetën armë dhe municione që i mbanin pa leje në automjetet dhe në banesat e tyre. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur për ATSH-në se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë Zastava, 7 armë gjahu të reja të markës Churchill, 12 kg barut dhe 275 copë fishekë. Sipas të njëjtit burim, Besnik Kryemadhi, 23 vjeç; Enver Voka, 21 vjeç; Xhelil dhe Bajram Sokoli, babë e bir, përkatësisht 61 dhe 20 vjeç, do të përgjigjen për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa 21 vjeçari Drilon Pjetri për moskallëzim të krimit./g.kabashi/ch/
* Procedohet penalisht firma që dëmtoi rrugën nacionale
KORÇË - Polica ka nisur procdedimin penal ndaj një firme ndërtimi që ka dëmtuar asfaltin e rrugës Korçë-Ersekë, ndërsa ka kryer punime pa leje për shtrirjen e fibrave optike. Sipas zëdhënëses së policisë të Korçës, Eftiola Kacorri, policia ka kryer veprimet hetimore për procedim penal ndaj administratorit të firmës "Smavina", Sokol Dinellari, 48-vjeç. Procedimi penal ndaj tij, sipas policisë, është bërë nën akuzën "shkatërrim me dashje i rrugëve nacionale", parashikuar nga neni 155/1, i Kodit Penal, i cili parashikon dënim deri pesë vjet burg. "Smavina" punonte për llogari të kompanisë te Albtelekom Sh.a. /b.fejzulla/ch/