English

Shqipe gjuha, po shkon ku?

Ndoshta do t’u duket se ka një gabim në titullin e shkrimit. Lexoni pak më poshtë dhe do ta kuptoni se si titulli i mësipërm, hamë pak a shumë për ditë nëpërmjet tregut tonë mediatik

Nga Ajet Nuro*

Një nga kontaktet e mia më kishte nisur një shkrim duke më dërguar lidhjen drejt tij. E hap lidhjen dhe lexoj pak, aq sa për të shuar kureshtjen. Djathtas më tërheq vëmendjen një shkrim kushtuar Botërorit 2010 dhe pikërisht kapitenit të italianëve, Kanavaro. Dihet që italianët e lanë garën pikërisht në fazën e parë duke qenë të fundit më grup. Por … nuk munda ta lexoj shkrimin deri në fund. Lexoni dhe ju me mua këtu më poshtë dhe më thoni nëse shkrimi është në gjuhën e Naimit apo Fishtës:

Irene (Afrikë e Jugut)- Një zë i lehtë e i lodhur. Dhe shumë mërzi që është shfaqur në fytyrë. Fabio Kanavaro është paraqitur kështu përpara mikrofonave të mediave, në një konferencë për shtyp, ku është për herë të fundit si kapiten i kombëtares italiane, pas 136 ndeshjeve me Italinë. Ka vendosur fytyrën e tij, pasi të enjten në fushën e lojës nuk ka arritur të japë nivelin e tij të zakonshëm. Dhe me eksperiencën e madhe që ka në shpatulla i ka dërguar disa mesazhe të qarta futbollit italian: kriza e rinovimit është, dhe duket qartë, dhe për Italinë e re të Cesare Prandelit, detyra nuk do të jetë e lehtë.

Edhe më keq vazhdimi:

“Mbrëmja e djeshme ka qenë një ndër mbrëmjet më të këqija, më absolute. Mbrëmje absolute????

“Mendoj se, paraqitja e bërë kundër Sllovakisë ka qenë edhe figura më e keqe që ne kemi zhvilluar në absolute këto vite”.

Së pari para se të flasim për cilësinë e shqipes jo vetëm tek ky shkrim por tek shumë e shumë shqipërime të tjera dua të shpreh atë zhgënjim që ndien tek lexon shkrime të marra kushedi se nga. Shkrimit në fjalë i mungonte burimi. Burimi, qoftë ku i huaj apo shqiptar është alfa e një shërbimi të ndershëm që i ofrohet publikut qoftë edhe kur ky i fundit nuk paguan për informacionin që i ofrohet. Por, përveç mungesës elementare të etikës, burimi bëhet i domosdoshëm kur ke të bësh me gafa të tilla monumentale, për të vlerësuar nëse gabimi është tek origjina apo tek transformimi...

Duke lënë mënjanë etikën, që për shqiptarët nuk përbënë ndonjë problem, le ti kthehemi gjuhës shqipe në përkthime apo në materiale që u ofrohen shqiptarëve nga burime të ndryshme qofshin burime të identifikuara, qofshin anonime.

Lexoni gazetat e Tiranës apo të Prishtinës. Shumica e tyre ka një ekip drejtues që mund të realizoj shkrime cilësore. Por, fatkeqësisht nuk gjen gazetë ku të mos lexosh fjalë “të fryra”, të shkëputura nga fjalori “botëror”. Si mund të jenë shqiptarët trendi nëse ata nuk konsumojnë produkte si performancë, draft, proteksion etj. etj., për të mos të përmendur gjithë arsenalin modern të gjuhës shqipe?

Kur përmend Tiranën dhe Prishtinën, kjo nuk do të thotë se shqiptarët e përtej urës së Qabesë nuk kanë ndonjë përgjegjësi. Përkundrazi. Por, shqiptarët e përtej kufijve të dy shteteve shqiptare, të detyruar “të jetojnë” në gjuhë të huaja, kërkojnë një farë shpëtimi pikërisht tek dy shtetet tona. Mbase do t'ju duket çudi, por shteti ka pjesën e tij në ruajtjen e gjuhës shqipe. Shteti ka mjete të ndryshme që mund të ndihmoj në ruajtjen e pastër të gjuhës shqipe. Mjafton dëshira për ta bërë një gjë të tillë.

Lexuesit? Edhe lexuesit kanë rolin e vet në ruajtjen e gjuhës shqipe. Nëse një lexues lexon barbarizma në një tekst, nëse lexon një shqipe pa cilësi duhet të kontaktoj drejtuesit e gazetës dhe t'ua bëjë vërejtjen dhe të këmbëngul që gazeta që ai lexon të respektoj standardet e shqipes.

Ndoshta ka ardhur koha të nxiten botimet cilësore duke shpallur edhe çmime për botimet serioze.

Ndryshe do pyesim: Shqipe gjuha, po shkon ku?

(*) Dërguar nga autori, Montreal, 29 qershor 2010

KOMENTE