Shqipëria Dhe Azerbaixhani, Angazhim Për Nxitjen E Bashkëpunimit Ekonomik
- Gjatë vizitës zyrtare të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Baku -
TIRANË, 30 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe Presidenti i Republikës së Azerbaixhanit, Ilham Aliyev angazhohen për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, kryetarja Topalli, në fillim të vizitës zyrtare që po zhvillon në Baku, u prit nga Presidenti Aliyev, i cili e vlerësoi këtë vizitë, e para e një personaliteti të lartë nga Shqipëria, si hap konkret dhe shprehje të rëndësishme të vullnetit politik të dy vendeve për të vendosur lidhje miqësie e raporte konkrete bashkëpunimi ekonomik me interes reciprok.
Duke nënvizuar se Azerbaixhani dhe Shqipëria kanë mjaft ngjashmëri në historinë e tyre të mbijetesës nga regjimet komuniste, kapërcimit të një tranzicioni të vështirë dhe sot të transformimeve dinamike, presidenti Aliyev tha se "është momenti i duhur të përcaktojmë interesat tona të bashkëpunimit ekonomik".
Ai theksoi se Azerbaixhani është një vend me orientim europian duke ruajtur vlerat e veta, me nje politikë të dyerve të hapura për biznesin, në kërkim të tregut dhe klimës së favorshme për investitorët e tij.
Znj. Topalli u shpreh e befasuar nga energjia dhe ritmet e zhvillimit ekonomik të Azerbaixhanit. Topalli konsideroi infrastrukturën moderne, arritjet në diversifikimin e ekonomisë, projektet e mëdha me përfshirje të gjerë të naftës e gazit, ndërtimin e aeroporteve të reja ndërkombëtare, pjesëmarrjen në ndërtimin e korridoreve rrugorë ndërkombëtarë, rritjen ekonomike prej 8 %, si tregues dinamikë të zhvillimit të këtij vendi.
Presidenti Aliyev dhe Kryetarja Topalli ndanë mendimin se shkëmbimi i vizitave të nivelit më të lartë, vendosja e kontakteve mes ministrive të interesuara, inkurajimi i biznesit përmes dhomave të tregëtisë, mbajtja e forumeve e hapja e ekspozitave do të nxisin bashkëpunim të frytshëm në fushat e energjisë, infrastukturës, turizmit, bujqësisë, kulturës etj.
Topalli tha se hartimi i një kornize ligjore adekuate do të përshpejtojë bashkëpunimin dhe shprehu angazhimin se do të mbështesë çdo nismë ligjore në këtë drejtim. Presidenti Aliyev mirëpriti kërkesën e Kryetares së Kuvendit në përfshirjen e Shqipërisë si vend i rëndësishëm tranziti në projektet e mëdha të linjave gazsjellëse.
Kryetarja e Kuvendit u ndal në çështjen e Kosovës, duke theksuar se pavarësia e saj është realitet i pakthyeshëm që i kontribuon paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.
"Vendet që kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës janë 69. Së shpejti, pasi gjykata ndërkombëtare të shprehet, pritet që numri i tyre të rritet sikurse janë angazhuar", tha kryetarja Topalli.
Presidenti Aliev u shpreh se kishte respekt të madh për popullin e Kosovës dhe siguroi kryetaren e Kuvendit se do t'i kërkonte kryeministrit azerbaixhanas të gjente mënyrat për të mbështetur një popull mik dhe për t'i dëshmuar atij solidaritet të plotë./a.s//n.m/