Sport-Futboll/ Kundërshtarja E Dinamos Në Champions Synon Fazën E Grupeve
TIRANË, 30 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/. - Kundërshtarët e Dinamos në turin e dytë të Champions League, moldavët e FC Sheriff, pasi kanë arritur të fitojnë për herë të 10-të rresht titullin në Moldavi, do të kërkojnë edhe suksesin në Evropë. Nën drejtimin e trajnerit Andrei Sosnitski, ata kanë si synim që të arrijnë fazën e grupeve të Champions League.
"Synimi ynë është që të shkojmë sa më larg", ka thënë për faqen zyrtare të klubit, trajneri Sosnitski që zëvendësoi Leonid Kuchuk në fillim të vitit. Vitin e kaluar, nën drejtimin e Kuchuk, ata zhvilluan sezonin e tyre më të mirë në Evropë, duke eliminuar FC International Turku dhe SK Slavia Praga, por u munden në pengesën e fundit, Olympiakos FC, duke shkuar kështu në Europa League, ku ishin afër kualifikimit në Grupin H.
Tani pas titullit të dhjetë rresht dhe fitimit të Kupës për herë të gjashtë që nga viti 2000, Sheriff është gati për një tjetër aventurë. Ata do ta fillojnë atë pikërisht kundër Dinamos, kampiones së Shqipërise, në raundin e dyte të Champions League.
"Tani i gjithë fokusi ynë është te Champions League", tha drejtori i klubit, Nikolai Zyuzin. "Duhet ta forcojmë akoma skuadrën. Skuadra po kalon ndryshime dhe ka lojtarë të rinj, që duan akoma kohë për t'u ambientuar. Do shpresojmë për më të mirën, do vazhdojmë të punojmë dhe të kërkojmë për lojtarë të rinj. Duam të përsërisim rezultatet e mira të vitit të kaluar dhe të fitojmë pikë për koefiçentin e futbollit moldav".
Trajneri Sosnitski gjithashtu e ka mendjen te Champions League. "Është më e lehtë të arrish diçka, por më e vështirë ta përsëritësh. Skuadra e Sheriff ka ndryshuar shumë dhe tani ka një moshë mesatare më të re. Të gjithë duan të tregojnë që janë lojtarë me vlera, por në te njëjtën kohë disave prej tyre u mungon eksperienca. Shumica e atyre që na ndihmuan të shkojmë në raundin e tretë sezonin e kaluar, nuk janë më këtu. Synimi ynë është që të përsërisim suksesin e vitit të kaluar. Lojtarët dhe stafi duan ta arrijnë dhe tejkalojnë atë që bëmë një vit më parë".
Në lidhje me ndeshjen e parë kundër Dinamos, kapiteni i skuadrës moldave, Vazha Tarkhnishvili, tha se "nuk di asgjë për futbollin shqiptar". "Shoket e mi nga Gjeorgjia me kanë thënë se është e vështirë të luash atje. Është shumë nxehte dhe skuadrat shqiptare mbrohen shumë. Nuk besoj se Dinamo do të dalë në sulm, po dhe nuk do të na lënë të bëjmë çfarë të duam. Sigurisht që më mirë do të ishte një skuader nga San Marino, por nuk mund t'i lejojmë vetes asnjë gabim në këto dy ndeshje", shtoi kapiteni.
Liga e Kampioneve: FC Sheriff - Dinamo
FC Sheriff (Moldavi)
Emri i plotë: Fotbal Club Sheriff
Themeluar: 1997
Stadiumi: "Ground Sheriff Stadium", Tiraspol, Transnistria (Moldova)
Kapaciteti: 14.300 vende
President: Victor Gusan
Trajner: Andrei Sosnitski
Sezoni 2009-2010: Vendi i 1-rë.
/s.s./