English

Sport-Futboll/ Laçi Përballë Dnepr Mogilev Për Të Shkruar Historinë

TIRANË, 30 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Skuadra e Laçit do të zhvillojë nesër në orën 16:30 në stadiumin e qytetit të Durrësit "Niko Dovana" ndeshjen e parë historike të saj në Europa League. Përballë Laçit do të jenë bjellorusët e Dnepr Mogilev, një ekip modest në arenën evropiane ashtu si laçianët. "Megjithëse kundërshtarin nuk e njohim shumë, por dihet që është mjaft i fortë dhe kanë futboll të shpejtë, nuk mund të themi se janë të pakalueshëm. Besoj se do të dimë të mbrohemi dhe gjithashtu ta sulmojmë atë. Kemi arritur deri këtu me forcat tona dhe do të përpiqemi ta kalojmë turin, duke shkruar historinë edhe në Europë. Do të jetë fusha ajo që do ta vendosë se kush do të dalë fitues, sepse sot është shumë e vështirë t'i ndash ekipet, nuk ka më ekipe të vogla apo të mëdha. Për sa i përket sezonit të ardhshëm, besoj se do mbetemi përsëri një rival i denjë për të gjitha ekipet", është shprehu përpara ndeshjes trajneri durrsak i Laçit, Stavri Nica. Skuadra e Laçit po përgatitet intesivisht për Ligën e Europës. Në klub ka pasur afrime të shumta të lojtarëve të rinj, por do të jetë ndeshja e nesërme ajo që do të tregojë me të vërtetë vlerën e të gjithëve. "Laçi ka filluar prej disa javësh fazën përgatitore dhe vjen ne këtë përballje në maksimumin e mundësive", ka theksuar Nica. /a.ke/
KOMENTE