English

Sport-Futboll/ Tirana Me Probleme Në Përballjen E Parë Evropiane

TIRANË, 30 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Në prag të përballjes së parë në Europa League me hungarezet e ZTE, skuadra bardheblu e Tiranës duket se nuk po kalon një periudhë të mirë. Trajneri i saj, Sulejman Starova, është shfaqur pesimist në stërvitjen e sotme dhe përgjigjet e tij nuk kanë qenë entuziaste për këtë ndeshje. Gjatë këtyre ditëve ai është munduar që të projektojë 11-shen që do të zbresë në tapetin e "Qemal Stafës" nesër në orën 19:30. "Kjo situatë natyrisht që nuk i përshtatet aspak një skuadre si Tirana, e cila edhe në këtë gjendje do të përpiqet që të kalojë të paktën turin e parë, një objektiv ky i vënë nga drejtuesit e klubit", tha Starova. Ai tha se "duke parë anën tjetër të medaljes, kundërshtari nuk është një ekip për t'u pasur frikë, por kurrsesi nuk duhet nënvlerësuar, pasi në kampionatin e vet Zalaegerszeg, për nga niveli, konsiderohet si modest. Por, niveli dhe tradita e futbollit hungarez sigurisht që e bëjnë më të favorizuar se skuadra jonë, që aktualisht nuk po përjeton momente edhe aq të mira, sidomos pas "eksodit" të titullarëve, vendi i të cilëve aktualisht është zënë nga lojtarë që sezonin e kaluar ishin pjesë e stolit te bardheblutë", u shpreh Starova. Pas largimeve të Devollit, Muzakës, Sefës, Abilaliajt dhe Mukës, u duk se te Tirana gjërat filluan të viheshin në vijë, pasi firmosën Pejiç dhe Lika, por u konfirmuan edhe Osmani dhe Lila. Madje u fol se do të kishte edhe bume të tjera në merkato, ku krahas rikthimit të Abrahamit, u fol edhe për ardhjen e një shkatërruesi serb Goran Lukoviç. Sipas drejtuesve të klubit, ky lojtar ishte më i mirë se lojtarët e larguar, madje u tha se do të bënte diferencën në kampionatin tonë. Si Abraham, ashtu edhe Lukoviç, u federuan dhe do të ishin pjesë e skuadrës në dy ndeshjet europiane më Zalaegerszeg, por kjo rezultoi një dështim në merkato. Serbi as që e mori mundimin që të vinte në Tiranë, pasi mësoi situatën në të cilën "notonte" klubi bardheblu. Jo vetëm kaq, por edhe Abraham, i cili pritej që të bashkohej me bardheblutë në fundjavë, duket se vazhdoi avazin e vonesës së lejes. Kështu, edhe pse Starova fillimisht i bëri llogaritë ndryshe, madje i piketoi si dy lojtarë të formacionit, tashmë duket se gjërat sa kanë ardhur e janë vështirësuar gjithnjë e më shumë. Aktualisht në radhët e bardhebluve ka futbollistë, që edhe pse stërviten, janë në bisedime, madje mund të kenë nënshkruar edhe me skuadra të tjera të superiores. Rasti më konkret është ai i qendërmbrojtësit Bici. /a.ke/
KOMENTE