English

Topalli lobon në Azerbajxhan për pavarësinë e Kosovës

Baku, 30 qershor, NOA – Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.

Kështu u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një vizite zyrtare në Azerbajxhan, e para e këtij niveli në këtë vend, duke u takuar me presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyev.

Duke bërë lobing për Kosovën në këtë vend, ajo u shpreh se “vendet që kanë njohur deri tani pavarësinë e saj janë 69 dhe pas shprehjes së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth saj, pritet që numri i tyre të rritet edhe më shumë”.

Presidenti Aliev nga ana e tij, u shpreh se kishte respekt të madh për popullin e Kosovës dhe e siguroi kryetaren e Kuvendit shqiptar se do t’i kërkonte kryeministrit të vet të gjente mënyrat për të mbështetur një popull mik dhe për t’i dëshmuar atij solidaritet të plotë.

Nga ana tjetër, duke nënvizuar se Azerbajxhani dhe Shqipëria kanë mjaft ngjashmëri në historinë e tyre të mbijetesës nga regjime komuniste, të kapërcimit të një tranzicioni të vështirë dhe sot të transformimeve dinamike, presidenti i këtij vendi tha se “është momenti i duhur të përcaktojmë interesat tona të bashkëpunimit ekonomik”.

Ai theksoi se Azerbajxhani është një vend me orientim europian duke ruajtur vlerat e veta, me një politikë të dyerve të hapura për biznesin, në kërkim të tregut dhe klimës së favorshme për investitorët e vet.

Ndërsa Topalli e konsideroi infrastrukturën e këtij vendi moderne, vlerësoi arritjet në diversifikimin e ekonomisë, projektet e mëdha me përfshirje të gjerë të naftës dhe gazit, ndërtimin e aeroporteve të reja ndërkombëtare, pjesëmarrjen në ndërtimin e korridoreve rrugore ndërkombëtarë, rritjen ekonomike prej 8 % si ndër treguesit më dinamikë të zhvillimit të Azerbajxhanit.

n.e/NOA

KOMENTE