English

Topalli Në Baku Kërkon Njohjen E Shqipërisë Si Vend Tranzit Në Kalimin E Linjave Të Gazit Dhe Naftës

- Gjatë vizitës zyrtare në Azerbaixhan - TIRANË, 30 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi në Baku me kryeministrin e Azerbaixhanit, Artur Rasizadejh, kërkoi angazhimin e tij për njohjen e Shqipërisë si vend tranzit të kalimit të linjave të gazit dhe naftës, gjë që u prit pozitivisht prej tij. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Azerbaixhan, kryetarja Topalli në takim me kryeministrin Rasizadejh vlerësoi progresin e shpejtë dhe strategjinë e zhvillimit ekonomik të Azerbaixhanit, si dhe rolin e tij në rajon. Ajo theksoi se Shqipëria me pozitën e saj gjeopolitike, treguesit ekonomikë, klimën atraktive për biznesin etj, e bëjnë atë një partner të besueshëm dhe një treg interesant për investitorët e huaj. Kryeministri i Azerbaixhanit nga ana e tij u shpreh i gatshëm për të parë nga afër mundësitë për një bashkëpunim të frytshëm në sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia, si dhe në inkurajimin e investimeve drejt Shqipërisë. Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë për njohjen e Shqipërisë si vend tranzit të kalimit të linjave të gazit dhe naftës dhe kërkoi angazhimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit të Azerbaixhanit, gjë që u prit shumë pozitivisht. Gjatë qëndrimit të saj në Baku, znj.Topalli u prit dhe nga kryetari i Parlamentit të Azerbaixhanit, Oktay Osadov, i cili u angazhua për vendosjen e raporteve ekonomikë konkretë dhe të dobishëm bashkëpunimi mes dy vendeve. /a.s/s.s./
KOMENTE