English

Turqi - Be-Ja Hap Një Kapitull Të Ri Të Bisedimeve Për Anëtarësimin

BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian hapi sot një kapitull të ri me Turqinë në kuadër të bisedimeve për anëtarësimin evropian, për sa u takon aspekteve të sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare, njoftojnë burime diplomatike. Vendimi u mor nga përfaqësuesit e përhershëm të 27 vendeve të BE-së, pak përpara një mbledhjeje ministrore në Bruksel ku pritet të marrin pjesë ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, për të konfirmuar hapjen e bisedimeve për këtë temë. Bëhet fjalë për kapitullin e 13-të ndër 35 që hapet që prej fillimit të bisedimeve në vitin 2004. Prej disa muajve bisedimet po avancojnë me një ritëm të ngadaltë, veçanërisht për shkak të konflikteve të vazhdueshme lidhur me statusin e Qipros: BE-ja e ka lidhur rifillimin e bisedimeve për disa kapituj me hapjen e porteve dhe të aeroporteve turke për Qipron, ndërsa Ankaraja nuk e njeh pjesën jugore të ishullit, anëtare e BE-së që prej vitit 2004. Spanja kishte premtuar hapjen e kapitujve të rinj përpara përfundimit të presidencës së saj të radhës së BE-së, që përfundon sot. Kjo iniciativë e re e BE-së ndërmerret në një kuadër mosmarrëveshjesh mes Turqisë dhe Izraelit që shkaktojnë shqetësime tek perëndimorët se mos ajo po largohet prej tyre. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë keqësuar që prej vrasjes së nëntë shtetasve turq më 31 maj, nga një komando izraelite në flotiljen e ndihmës humanitare për Gazën. /I.Pu.
KOMENTE