English

“Vazhdimësia” kap arsenal armësh dhe municionesh luftarake, në pranga 5 vetë

Durrës, 30 qershor, NOA –Pesë persona janë vënë në pranga në qytetin e Durrësit për armëmbajtje dhe municione luftarake pa leje.

Nën operacionin e koduar “Vazhdimësia” oficerët e policisë së Durrësit, arrestuan në flagrancë, në lagjen 13 të qytetit, 23 vjeçarin nga Gramshi, Besnik Kryemadhi, banues në lagjen 14 Durrës, i padënuar më parë; 21 vjeçarin nga Kukësi Enver Voka, banues në Sektorin Rinia Durrës, i dënuar më parë për vjedhje; 61 vjeçarin nga Kukësi Xhelil Sokoli banues në lagjen 13 Durrës, i padënuar më parë; 20 vjeçarin Bajram Sokoli ( i biri i Xhelilit), i padënuar më parë.

Ndërsa i pesti, 21 vjeçari nga Fushë-Arrëzi Drilon Pjetri, 21 banues edhe ky në Sektorin Rinia të Durrësit është arrestuar për moskallëzim të krimit të mbajtjes së armëve pa leje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarëve dhe në automjetet e tyre, oficerët e policisë gjetën 1 pistoletë Zastava e kalibrit 6,35 mm; 5 fishekë të të njëjtit kalibër; 7 armë gjahu të reja të markës Churchill të kalibrit 12 mm; 270 fishekë të kalibrit 12 mm si dhe një qese me 12 kg barut.

Policia e Durrësit po heton tashmë për përcaktimin e origjinës së ardhjes së këtyre armëve dhe municioneve luftarake si dhe destinacionin e tyre në vazhdim.

mit/NOA
KOMENTE