English

Zyra E Bashkëpunimit Zvicerian Për Shqipërinë Prezanton Strategjinë Për Periudhën 2010-2014

TIRANE, 30 Qershor/ATSH- A.Gegvataj/- Zyra e Bashkëpunimit Zvicerian për Shqipërinë ka prezantuar të mërkurën strategjinë e re që do të zbatohet gjatë periudhës 2010-2014 dhe që synon mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social në vendin tonë. "Shqipëria është një vend prioritar për bashkëpunimin zvicerian. Kontributi ynë ka të bëjë me një shifër prej 40 milionë euro në fonde të pakthyeshme", tha Ambasadorja e Zvicres, Yvana Enzler, në prezantimin e kësaj strategji në hotel Sheraton. I pranishëm prezantimin e kësaj strategjie, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se "strategjia është një vlerë e shtuar në mbështetje të reformave në vend dhe vjen në një kohë kur Shqipëria gjithnjë e më shumë po i afrohet BE-së". Ai vlerësoi se "performanca ekonomike e Shqipërisë, edhe pse në kushtet e ndikimit të krizës ekonomike globale gjatë dy viteve të fundit, është e qëndrueshme dhe inkurajuese". "Strategjia e prezantuar do të ketë impakt të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vëndit, duke patur në konsideratë se përkon plotësisht me prioritetet tona qeverisëse, të dokumentuara edhe në strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim për periudhën 2007-2013", shtoi Meta. Sipas tij, strategjia do të përfshijë fushat që kanë të bëjnë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokratizmin e mëtejshëm të institucioneve, ashtu sikurse do të ketë edhe programe që synojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Duke siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë për zbatimin e kësaj strategjie, Meta tha se "Zvicra ka qenë një model që me grandet dhe asistencën e saj teknike që në fillim të viteve '90 në Shqipëri, ka dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë, kaq të ngjashëm me të për bukuritë dhe që rilindasit tanë shekuj më parë me të drejtë e quanin apo e ëndërronin Shqipërinë si Zvicrën e Ballkanit". /s.s./
KOMENTE