Prishtinë, 1 Korrik 2010, NOA – Forcat policore të Prishtinës kanë mundur të vënë në pranga katër persona, të cilët dyshohen si autorë të një sërë grabitjesh të armatosura të ndodhura në këtë qytet që nga muaji janar i këtij viti.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se konkretisht vjedhjet e këtyre grabitësve kryesisht kanë qenë kazinotë dhe në pikat e basteve sportive.
Fillimisht, mësohet se është arrestuar një i dyshuar në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka tentuar të arratiset nga Kosova, ndërsa më pas operacioni i arrestimit ka vazhduar edhe në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, ku janë ndaluar dy të dyshuarit e tjerë.
Ndërsa i katërti i këtij grupi të dyshuar grabitësish, mësohet se është arrestuar që në muajin shkurt të këtij viti.
Inicialet e tyre janë përkatësisht M. L; V. M; A. D; M.R.
Dyshohet se gjithsej, ata kanë kryer në bashkëveprim 16 raste vjedhjesh, që të gjitha të kryera nën kërcënimin e armës, duke i lidhur viktimat dhe duke i sulmuar fizikisht, e në disa raste edhe duke shtënë me armë zjarri.
Ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar nga vjedhjet e kryera prej tyre është rreth 30.000 euro, para të gatshme dhe telefonë celularë etj.
n.e/NOA