Basha: Shtabe Pranë Çdo Prefekture Për Sigurimin E Rendit Gjatë Sezonit Veror
R
TIRANË, 1 Korrik /ATSH-Mira Shkurta/.- Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha kërkoi sot bashkëpunimin e strukturave vendore për një sezon të sukseshëm veror.
Në një takim të zhvilluar me prefektët e 12 qarqeve të vendit, Basha u shpreh për nevojën e ngritjes së shtabeve të punës pranë çdo prefekture në të gjitha qarqet e vendit gjatë këtij sezoni veror.
Nga 1 korriku, në të gjitha qarqet e vendit do të fillojë zbatimi i një plani masash, i cili, sipas ministrit Basha, parashikon shërbime të shtuara në të gjitha akset rrugore, pranë zonave turistike dhe bashkive më të mëdha dhe nga data 1 korrik, ky plan do të raportohet dhe monitorohet nga shtabet e ngritura nga prefektët, në bashkëpunim me policitë e qarqeve.
"Detyrat kryesore të shtabit të punës, janë të sigurojë një koordinim të të gjithë institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore, me synim sigurimin e një ambienti sa më të sigurtë dhe sa më të qetë për pushuesit gjatë sezonit veror", tha Basha.
Në këtë kontekst, ministri Basha vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, si institucioni përgjegjës për mirëmenaxhimin e kufirit, përballimin e fluksit të udhëtarëve, jo vetëm në pikat e kalimit kufitar, por në të gjitha akset rrugore.
Ai kërkoi dhe një bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në kufi, si ato të shërbimit fito-sanitar, autoritetet detare dhe portuale, etj, bashkëpunim me strukturat e transportit, për një menaxhim sa më të mirë të trafikut gjatë sezonit veror.
Ministri Basha u kërkoi prefektëve dhe marrjen e masave për përkufizimin e hapësirave për lëvizjen e motorëve të ujit gjatë sezonit të plazhit.
Detyra juaj si prefektë, tha Basha, është që në këtë shtab pune, ku marrin pjesë të zgjedhurit vendorë, të merren të gjitha masat, në bashkëpunim me policinë kufitare, me autoritetet detare për përcaktimin e hapësirës ku do të qarkullojnë motorët e ujit.
Në të kundërt, bëri të ditur ai, "çdo motor uji, që qarkullon jashtë hapësirave të caktuar, do të konfiskohet".
Ministri Basha kërkoi nga autoritetet e larta vendore marrjen e masave për eliminimin e zhurmave në zonat turistike, duke zbatuar për këtë ligjin në çdo kundravajtje./s.s./