English

Berisha: Në 2 Korrik '90, Shqiptarët Nisën Marshin E Tyre Të Pandalshëm Të Lirisë

- Kryeministri Berisha përshëndet mitingun e organizuar në "Qytetin Studenti" në kujtim të ngjarjeve të korrikut 1990 - TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- "Në 2 korrik 1990 shqiptarët nisën marshin e tyre të pandalshëm të lirisë duke gjunjëzuar në rrugët dhe sheshet e Tiranës, diktaturën më barbare", tha sot, Kryeministri Sali Berisha, në mitingun madheshtor të organizuar në "Qytetin Studenti" në nderim të 20 vjetorit të njërës prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e demokracisë shqiptare. Kryeministri Berisha përshëndeti qytetarët që kishin mbushur sheshin e "Qytetit Studenti" për të përkujtuar këtë ngjarje që shënoi fillimin e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. "Ne jemi sot këtu për të nderuar përpjekjet më të guximshme të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Në 2 korrik 1990 mijëra të rinj shqiptarë u vërsulën si luanë të vërtetë dhe shembën Murin e Berlinit në Tiranë", tha Berisha. Shqipëria në korrik të vitit '90 kishte mbetur diktatura e vetme komuniste në Europë, tha Berisha duke kujtuar se "vendi ishte i zhytur në izolimin më të thellë dhe në harresën e pashembullt". "Shqipëria e diktaturës hoxhiste ishte vendi i dhunës, terrorit, torturave më barbare, ku ata që tentonin të largoheshin prej tij i prisnin breshëritë e plumbave të ekzekutorëve të pamëshirë", tha Berisha. Ai kujtoi se "rënia e Murit të Berlinit në Gjermani do të shoqërohej me varje publike të disidentëve në sheshe dhe qytetet e Shqipërisë". "Shqipëria erdhi në vitin '90 si një vend ku 2/3 e qytetarëve të saj përjetonin skllavërinë e vërtetë.". Sipas tij "atëherë pothuajse askush nuk besonte se shqiptarët do të gjenin guximin për të hedhur pas shtypjen mizore, dhe ishin të shumtë ata që besonin se Shqipëria do të mbetej si 'Kuba e Adriatikut". "Të rinjtë shqiptarë me guxim të pashmebullt shndërruan rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në betejën legjendare për liri dhe dinjitet. Për ditë të tëra ata vazhduan sulmin e tyre drejt botës së lirë. Ata ishin njerëz të thjeshtë, por u dhanë zemër shqiptarëve që perjetonin tmerrin dhe frikën më të madhe", tha Berisha. Ishin pikërisht ngjarjet e viteve '90, që sipas Kryeministrit Berisha "i dhanë mesazhin Europës dhe botës se ky komb nuk ka të ndalur dhe është i gatshëm për çdo sakrificë për lirinë dhe dinjitetin e tij". "Me aktet e tyre të burrërisë ata i dhanë shpresë këtij populli të pashpresë. Ata që në 2 korrik '90 u vërsulën drejt ambasadave të vendeve të lira nuk e dinin dhe nuk kishin siguri nëse do të arrinin botën e lirë apo natën e përjetshme. Regjimi mundësoi makinerinë e vetë të shtypjes, dhunës dhe terrorit dhe sërish mbushi burgjet, nisi torturat persekutimin dhe ekzekutimet dhe ngriti 'de facto' Murin e Berlinit", tha Berisha. Por flaka e lirisë që ndezën heronjtë e 2 korrikut nuk u shua kurrë, tha Kryeministri duke kujtuar se "vetëm pak muaj më vonë, në dhjetor të vitit '90 do të shpërthente uragani i fuqishëm i lirisë". "Nën udhëheqjen e Azem Hajdarit, tribunit të lirisë do të themelohej në 'Qytetin Studenti' Partia Demokratike dhe do të niste pluralizmi politik. Ky uragan do të zhdukte më pas me votën e lirë, regjimin më të egër që Europa do ta fiksonte si regjimin e Hitlerit të pasluftës, regjimin e Enver Hoxhës", tha Berisha. Sot ne përulemi me nderim të madh para heronjve të 2 korrikut që shkallmuan dyert e lirisë, tha Kryeministri ndërsa theksoi se "20 vjet pas këtyre ngjarjeve, vendi është shekuj larg Shqipërisë së viteve '90". "Vendi që 20 vite më parë renditej i 3 apo 4 në botë për skamjen është shkëputur sot nga grupi i vendeve të varfra dhe ka njërën prej ekonomive më të qëndrueshme, më dinamike dhe më entuziaste në rajon dhe Europë. Vendi që 20 vite më parë ishte zhytur në izolimin më të thellë, sot është vend anëtar i NATO-s dhe ecën i sigurt drejt integrimit europian", tha Berisha. Shqipëria që 20 vite më parë ishte e rrethuar me tela me gjemba, tha Kryeministri "sot është në prag të lëvizjes së lirë pa viza në mbarë Europën". "Vendi që 20 vite më parë ishte vendi i lirisë dhe të drejtave të ndaluara, sot është vendi i shtetit ligjor, institucioneve të lira e demokratike. Ky 20 vjetor na fton të bashkohemi në përpjekjen tonë të ndershme e fisnike për të shndërruar sa më parë në realitet, ëndrrën tonë europiane", tha Kryeministri Berisha. /a.gj/
KOMENTE