English

Berisha: Përmendore Në Nderim Të Ngjarjeve Të 2 Korrikut '90

TIRANË, 1 Korrik/ATSH- Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi të enjten që Kuvendi i Shqipërisë të marrë vendimin për ngritjen e një përmendoreje në nderim të 20 vjetorit të ngjarjes së ambasadave. Duke marrë fjalën në seancë plenare, Kryeministri Berisha tha se "2 korriku 1990 ishte fillimi i atyre lëvizjeve të mëdha që do të sillte në Shqipëri përmbysjen e diktaturës më të egër komuniste në Europë dhe botë". "Përulem sot me nderim të thellë para atyre qindra dhe mijëra djemve dhe vajzave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që 20 vjet më parë, në 2 korrik 1990 u vërsulën si luanë mbi perden e tmerrshme të hekurt, mbi Murin e tmershëm të Berlinit dhe e thyen atë me sakrificën e tyre", tha Berisha. Pa guximin e tyre, tha Berisha "ndoshta do të kishin qenë ndryshe ecuria dhe zhvillimet e këtij vendi". "Ata përfaqësojnë guximin dhe trimërinë e një kombi të shtypur deri në palcë. Pothuaj 2/3 e shqiptarëve jetonin në skllavëri ." tha Berisha. Ngjarjet e ambasadave, tha Kryeministri erdhën në një kohë kur mendohej se Shqipëria vazhdonte të mbetej si "Kuba e Adriatikut". "Ata u ngritën për të shprehur qoftë edhe me sakrificën më sublime, vullnetin e qytetarëve shqiptarë për tu bërë të lirë. Ndaj dhe le të shprehim së bashku mirënjohjen më të thellë për veprën e tyre, duke ngritur një përmendore në nderim të trimërisë dhe guximit të atyre qindra dhe mijëra djemve dhe vajzave që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë", tha Berisha. Edhe pse regjimi i atëhershëm ia doli të vendosë sërish perden e hekurt, Kryeministri tha se "tashmë ishte dhënë kushtrimi me shembullin e atyre që u vërsulën në muret e ambasadave në 2 korrik". "Ata që mendonin se ngritën sërish murin, nuk bënë gjë tjetër veçse ngritën turpin dhe fundin e tyre të merituar. 2 korriku ishte fillimi i atyre lëvizjeve të mëdha që do të sillte në Shqipëri përmbysjen e diktaturës më të egër komuniste në Europë dhe botë", tha Berisha. Ky 20 vjetor e gjen Shqipërinë krejtësisht tjetër", tha Kryeministri Berisha, duke kujtuar se tashmë jemi një vend anëtar i NATO-s që po ecën i sigurt drejt integrimit europian./a.gj/
KOMENTE