Tiranë, 1 Korrik, NOA – “Iu përulem me nderim të thellë mbarë qytetarëve shqiptarë, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që 20 vjet më parë u vërsulen si luanë mbi perden e tmerrshme të hekurt, mbi Murin e tmerrshëm të Berlinit dhe me një sakrificë të madhe njerëzore, e thyen atë”.
Me këto fjalë, kryeministri Berisha sot nga foltorja e Kuvendit ka përshëndetur eksodin e parë të shqiptarëve, atë të 2 korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë u dyndën drejt ambasadave dhe i kapërcyen ato, në kërkim të një jete më të mirë.
“Pa heroizmin e tyre do të kishte qenë ndoshta tjetër ecuria dhe zhvillimi i këtij vendi”, ka apeluar kreu i qeverisë lidhur me një fakt të tillë.
Duke pohuar se “këta djem dhe vajza përfaqësojnë guximin e një kombi të shtypur, deri në palcë, ndaj duhet të nderohen”.
“Le të shprehim së bashku mirënjohjen më të thellë për aktin e tyre”, tha ai.
Sipas tij, është e vërtetë se regjimi ia doli sërish për momentin të rivendoste perden e hekurt, por shembulli i atyre që kapërcyen muret e ambasadave, u bë shembull për të gjithë, gjë e cila do të sillte më pas fundin dhe turpin e merituar të atij regjimi.
“Sot kemi një Shqipëri anëtare të NATO-s dhe aspiruese për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.
n.e/NOA