Uashington, 1 korrik, NOA – Drejtori i Institutit amerikan për Paqe, Daniel Server, i tha BBC-së se Beogradi dëshiron që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hapë për diskutim çështjen e ndarjes së Kosovës dhe korrigjimin e kufijve.
Sipas tij, zyrtarët në Beograd më shumë se shkëmbim të territoreve do të donin që të korrigjonin kufirin në veri të Kosovës, duke marrë tri komunat me shumicë serbë në këtë pjesë të vendit.
Server tha se edhe në rast të hapjes së diskutimeve për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, nuk mund të pritet një pajtueshmëri mes palëve, të cilat në një rast të kundërt do të duhej të jepnin garanci të plota se zgjidhja nuk do të ketë ndikime në Maqedoni dhe Bosnjë.
Ai iu bëri thirrje qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të mos bëjnë presion mbi popullatën serbe në pjesën jugore e qendrore të Kosovës, që mund të ndikojë në njohjet e reja ndërkombëtare për vendin.
Z. Server, si e vlerësoni idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Është një ide që Beogradi dëshiron ta shtyjë. Por unë nuk e kam dëgjuar asnjë në Beograd të ketë sugjeruar shkëmbim të territoreve. Atë që ata e sugjerojnë është korrigjimi i kufirit në veri, që nënkupton t’i jepen Serbisë tri komuna që sot janë të populluara me shumicë serbe, pra tri komuna që edhe para luftës ishin me shumicë serbe. Unë nuk do t’i them askujt se çfarë të mendoj për këtë. Serbët i duan ato komuna, ata duan të flasin për këtë me shqiptarët në Prishtinë. Por unë pres plotësisht që nëse dikush në Prishtinë dëshiron që të mendoj për këtë, ata do të mendojnë vetëm për shkëmbim, dhe ky shkëmbim duhet të përfshijë shumicën shqiptare në komunën e Preshevës. Unë nuk besoj se serbët do të heqin dorë nga kjo pjesë në jug që shkon drejt Selanikut, por edhe nëse diskutohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit një gjë e tillë nuk pres të arrihet ndonjë pajtueshmëri. Por edhe nëse do të arrihej një marrëveshje e tillë, Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një mënyrë për të garantuar se kjo marrëveshje nuk do të ndikojë në Maqedoni dhe Bosnjë, se nuk do të ketë përsëritje të përpjekjeve për rregullim të kufijve në Bosnjë dhe Maqedoni, që janë shtete të njohura ndërkombëtarisht dhe integriteti dhe sovraniteti i tyre duhet të respektohet. Prandaj, nëse do të diskutohet ideja, që ka pak gjasa të bëhet, por nëse diskutohet dhe arrihet një marrëveshje, sërish duhen garanca se ajo marrëveshje nuk do të ndikojë në diçka tjetër. Mendoj se këto janë kushte të vështira për t’u përmbushur.
Por, sikur e thatë, duket sikur Serbia do ndarjen e Kosovës dhe jo rregullimin e territoreve.
Serbia e sheh pavarësimin e Kosovës si një lloj ndarjeje të Serbisë. Prandaj ata nuk e shohin si një problem ndarjen e Kosovës meqë sipas tyre kur është ndarë Serbia, pse të mos ndahet edhe Kosova. Mendoj se këto janë mendime që nuk çojnë larg. Nga pikëpamja ime dy shtetet sovrane nëse duan të diskutojnë për këtë gjë, ato mund të bisedojnë. Por ato duhet të kenë kujdes së çfarëdo marrëveshje që arrihet, duhet të japë garanci se nuk do të ndikojë mbi Maqedoninë dhe Bosnjën dhe kjo do të jetë një garanci e vështirë.
Megjithëse jo shumë e qartë, kjo ide për shkëmbim territoresh vjen në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. A mos është më shumë një lloj testimi i opinionit publik?
Ju mund të prisni që Serbia, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, dëshiron që të diskutojë për ndarjen dhe korrigjimin e kufijve. Ajo e ka bërë të qartë këtë dhe është e qartë për shumë vjet dhe nuk është një zhvillim i fundit, ka qenë i qartë për një kohë të gjatë. Ndonjëherë thonë se nuk duan ta diskutojnë por, sinqerisht, ata e duan këtë sepse ata duan një lloj “ruajtje të fytyrës”, me zgjidhjen që do të dilnin para popullatës serbe duke thënë se kemi marrë diçka, jo shumë të madhe, por e morëm në mënyrë paqësore dhe ata llogarisin në këtë. Ka ndoshta edhe shqiptarë në Prishtinë që duan ta diskutojnë këtë. Unë nuk e di por mund të ketë. Për mua Kosova është një shtet sovran dhe nëse ata duan të diskutojnë gjëra me një shtet tjetër sovran, ata mund ta bëjnë këtë, por nëse nuk duan, ata mund të thonë 'jo' dhe kjo është e drejtë e një shteti sovran. Por, edhe pse shtetet sovrane kanë të drejtën të diskutojnë për territoret e veta, ato nuk kanë të drejtë që të destabilizojnë fqinjët dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme.
Zyrtarët në Prishtinë e kanë kundërshtuar një ide të tillë. Por, nëse Beogradi insiston në ndarje dhe në veçanti në një lloj rregullimi të territoreve, cili do të ishte ndikimi mbi serbët në pjesën jugore dhe atë qendrore të Kosovës?
Unë shpresoj se nuk do të ketë ndikim. Sepse, mendoj unë, qeveria në Prishtinë dhe popullata në Kosovë duhet ta kuptojnë se këta njerëz janë qytetarë të Kosovës dhe ata duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë si një grup i njerëzve që flasin një gjuhë tjetër brenda kontekstit të Kosovës. Por mund të ketë edhe njerëz që duan që serbët të largohen dhe të shkojnë në pjesën veriore, në territorin e tyre. Kjo për mua do të ishte një katastrofë dhe unë do të isha i pakënaqur që të shoh se kjo po ndodh. Kjo do të kishte një ndikim negativ mbi Kosovën. Ajo për të cilën Kosova do të duhej të shqetësohej më shumë sot, nuk është korrigjimi i territoreve ose gjëra të tilla, por që të arrijë më shumë njohje ndërkombëtare. Çfarëdo lëvizje masive dhe keqtrajtim i serbëve në Kosovë do të dëmtonte njohjet ndërkombëtare. Një gjë shumë e rëndësishme është se çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qetë, që t’i trajtojnë fqinjët e tyre serbë si fqinjë të mirë dhe që të mos bëjnë gjëra të pamenduara që do të vështirësojnë njohjet e reja.
Ju thoni shtimin e njohjeve. Por, në një mënyrë procesi në GJND duket sikur e ka zvarritur procesin e njohjeve të reja, madje edhe të atyre vendeve evropiane që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. A prisni që pas vendimit të shtohet numri i njohjeve për Kosovën?
Unë shpresoj se ky numër do të rritet, por shumë varet se çfarë do të thotë mendimi i shprehur nga GJND-ja. Mendoj se shumë vende që e kanë shtyrë vendimin për njohje, do të ecin përpara. Unë nuk pres më shumë njohje brenda BE-së. Mendoj se pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, megjithëse shpresoj se do ta bëjnë këtë, nuk jam i sigurt se do të ndodhë një gjë e tillë. Mendoj se është me rëndësi që Kosova të arrijë një numër prej 100 njohjesh dhe kjo do të paraqiste, për shumicën e vendeve të botës, një masë kritike që do të përbënte ndryshim.
BBC