Ekon - Rumani - Rritet Në 24 Për Qind Tvsh-Ja
BUKURESHT, 1 korrik /ATSH-MIA/ - Prej sot në Rumani hyn në fuqi shkalla e re e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që qeveria vendosi ta rrisë nga 19 në 24 për qind, pasi Gjykata Kushtetuese e vendit hoqi një pjesë të masave të planifikuara për kursim buxhetor, njofton media rumune.
''Rritja e TVSH-së do të sjellë rritjen e çmimeve'', tha agjencia shtetërore rumune e lajmeve, Agerpres.
Distributorët kryesorë të nënprodukteve të naftës "Petrom" dhe "Rompetrol" njoftuan për rritje të çmimeve deri mbi pesë për qind.
Po kështu, të gjitha të ardhurat si formë e kamatave bankare do të tatohen me 16 për qind.
Qeveria rumune ka miratuar një seri masash për uljen e deficitit buxhetor në 6,8 për qind në krahasim me 7,2 për qind nga viti 2009, që është kushti për marrjen e një kredie, nënshkruar vitin e kaluar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me vlerë prej 20 miliardë euro.
Masat parashikojnë edhe ulje prej 25 për qind të rrogave të të punësuarve në sektorin shtetëror./
a.jor.