English

Fatos Nano: Integrimi i Shqipërisë, bashkëpunim mes mazhorancës, ndërkombëtarëve dhe të majtës

Gjirokastër, 1 korrik, NOA – “Mazhoranca, ndërkombëtarët dhe e majta shqiptare, janë tre faktorët, bashkëpunimi mes të cilëve do të çonin përpara dhe në mënyrë të shpejtë procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë.”

Ish lideri historik i Partisë Socialiste, dhe ish kryeministri Fatos Nano është rishfaqur në publik, me këtë deklaratë të shkurtër politike, ku ai ka theksuar se të gjitha replikat mes opozitës dhe mazhorancës janë të pavend në këtë moment, përballë çështjes aq të rëndësishme, integrimit të Shqipërisë në BE.

Ish lideri i të majtës, që e kryesoi Partinë Socialiste, nga viti i themelimit në 1991 deri në vitin 2005, e bëri këtë deklaratë kushtuar integrimit në fshatin Lunxhëri, të Gjirokastrës, ku po tërhiqte titullin “Qytetar nderi” akorduar të atit të tij, Thanas Nano, pas vdekjes.

Pikërisht në këtë kohë kur akuzat e partisë Socialiste ndaj mazhorancës bëhen edhe më të forta, një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe kur ndërkombëtarët kërkojnë dialogun poltik mes opozitës dhe mazhorancës në favor të zgjidhjes së krizës, deklarata e ish kryeministrit Fatos Nano, duket se vjen pikërisht si një mbështetje e fortë ndaj politikës funksionale, kundër ngërçit të tejzgjetur.

Ish lideri socialist, Nano, i mungonte publikut me deklaratat e tij, prej gati një viti, kur deklaroi në një emision televiziv, se Partia Socialiste dhe opozita e majtë në gjendjen e përçarë në të cilën ndodhet rrezikon të humbasë zgjedhjet, duke kërcënuar se në një rast të tillë të nesërmen e ditës së zgjedhjeve ai do të ndërmerrte një lëvizje për reformimin e partisë socialiste dhe bashkimin e së majtës.

Dhe sipas nanos, kjo deklaratë doli e vërtetë, pasi opozita humbi zgjedhjet, duke i hapur kështu udhë ngërçit politik me mazhorancën, në kërkim të transparencës së votave të 28 qershorit.

Nano nënvizoi, pak përpara zgjedhjeve të vjetshme, thembra e Akilit për krizën e sotme politike, se “nuk besoj se opozita e sotme është në gjendje të konkurrojë apo të fitojë jo më debate të pjesshme, por ballafaqimin elektoral të fundmuajit të ardhshëm. Modeli i Bashkisë së Edi Ramës, të cilin ai pretendon ta shtrijë në gjithë Shqipërinë, së pari nuk është model i socialistëve. Dhe unë jam i bindur që modeli i Bashkisë së Tiranës është i pafrytshëm për të qeverisur Shqipërinë. Unë afirmoj nevojën e një transormimi pozitiv që nis nga e para të së majtës shqiptare, të Partisë Socialiste dhe të forcave të tjera opozitare dhe në rast se kjo gjendje siç duken gjasat nuk do t’i çojë dot në një maxhorancë qeverisëse, kjo mbetet një detyrë që fillon më datën 29 qershor”.

Sipas Nanos, “Partia e sotme socialiste jo vetëm u grabit apo u ble nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, por edhe u deformua, u degradua, u përçudnua, iu fshi memorja dhe arkivi i eksperiencës politike dhe qeverisëse. Tashmë edhe po transformohet nga pikëpamja e përfaqësuesve me njerëz pa identitet dhe që nuk kanë asnjë rekord publik në politike apo në administrimin publik të shtetit dhe qeverisjes”.

Për shkak të sulmeve ndaj kreut aktual të Partisë Socialiste, ish lideri i të majtës, Fatos Nano, u la qëllimisht jashtë listës së kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste, në zgjedhjet e vitit të shkuar, gjë që edhe po të kishte ndodhur do të ishte refuzuar prej tij, sikundër Nano vetë ka deklaruar, për të gjitha shkaqet e transformimit të PS-së.

mit/NOA

KOMENTE