Francë - Studim - Nga Vetmia Vuajnë 4 Milionë Persona
- Të shumtë të moshuarit, por rrezikon të përhapet edhe te 40 dhe 50 vjeçarët -
PARIS, 1 korrik /ATSH-ANSA/ - Në Francë ka rreth 4 milionë persona të vetëm, të cilët kanë maksimumi dy ose tre kontakte në vit me botën përtej mureve të shtëpisë, dhe 20 milionë të tjerë rrezikojnë të arrijnë në këtë gradë. Statistikat janë nxjerrë nga një studim i entit filantropik "Fondation de France", realizuar për të përditshmen "Le Parisien".
"Janë rezultate shumë shqetësuese", komenton përgjegjësja e fondacionit, Dominique Lemaistre. "Trajektoret profesionale janë gjithmonë e më shumë lineare. Sot shpërngulesh më shpesh. Çiftet ndahen më shpesh. Rastet e shkatërrimit social janë më të shpeshta se më parë", shpjegon ajo.
Vetmia vazhdon të godasë mbi të gjitha të moshuarit, me rreth 15-16 për qind për moshat mbi 60 vjeç, por po përhapet gjithmonë e më shumë edhe te 40 dhe 50 vjeçarët, më të dobëtit përballë ngjarjeve traumatike si humbja e vendit të punës apo e prindërve. Por as të rinjtë nuk janë imunë, me një përqindje të vetmuarish që arrin në 3% për të gjitha moshat nën 35 vjeç.
Ajo çfarë provokon largimin e një personi nga shoqëria kryesisht (56%) është një humbje familjare, ndarje apo divorc, vdekja e bashkëshortit, por edhe largimi i fëmijëve nga shtëpia për motive studimi apo profesionale. Më pas ndjekin ata që largohen nga puna, për motive personale, pushimi apo pensioni (14%).
Një tendencë që, ndryshe nga çfarë mendohet, rrjetet sociale në internet ose forma të tjera komunikimi kanë shumë pak ndikim. 88 për qind e të vetmuarve në Francë, gjithmonë sipas studimit, nuk i përdorin këto instrumente të internetit dhe numri i lidhjeve virtuale është kryesisht në proporcion me atë të kontakteve reale.
/e.v/