Gjirokastër: Nano: Me Procesin E Vizave Nuk Mund Të Luajë Asnjë Aktor Politik
GJIROKASTËR, 1 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili 5 vjet më parë pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e vitit 2005 dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike, ishte sot në Gjirokastër ku mori në dorëzim titullin "Nderi i Lunxhërisë", akorduar babait të tij, Thanas Nano pas vdekjes, nga komuna e me të njëjtin emër, me motivacion "Për kontribut të shquar në fushën e edukimit dhe medias".
I shoqëruar nga bashkëshortja dhe rrethuar nga miq të shumtë, Fatos Nano komentoi për median zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur tek procesi i liberalizimit të vizave dhe ngërçi politik.
"Me këtë proces nuk mund të luajë asnjë aktor politik, pasi është kontribut 20-vjeçar i çdo force politike", u shpreh Fatos Nano për proçesin e liberalizimit të vizave.
Sipas tij, në skenën politike shqiptare, sot ka 3 palë. "Flas për palë, jo për parti. Pra, maxhoranca qëndrore, opozita, që vende-vende është maxhorancë, si këtu në Gjirokastër dhe ndërkombëtarët, që të gjithë thonë, mezi i kemi", tha Nano.
"Për ta ç'dramatizuar situatën, atë që duket si tension politik i stisur, le të përdorim kategoritë e artit skenik për të kuptuar qartë dramën, komedinë dhe tragjedinë. Njëra është në pozita komike dhe kjo është qeveria, sepse ka me se, ka se ku, por s'ka me kë. Në pozita dramatike qëndrojnë ndërkombëtarët, sepse kanë me se, kanë me kë, por s'kanë se ku, në Strasburg, Tiranë apo në Gjirokastër", u shpreh Nano.
Por "në pozita tragjike është opozita, që kanë se ku, kanë me kë, por s'kanë me se", vlerësoi ish-kryetari i partisë Socialiste, Fatos Nano.
"Po pres që ata (PS) që kanë me se, të bëhen partnerë me ata që kërkojnë me kë dhe t'a bëjnë këtë vend, më në fund, jo vetëm anëtar të NATO-s, por edhe të BE-së, që është këtu në kufijtë tuaj", u shpreh Nano.
"Pushteti vendor bën opozitë me pushtetin qëndror", tha Nano, duke nënkuptuar daljen nga sistemi politik të Partisë Socialiste, që ai vetë e krijoi dhe drejtoi për vite me radhë.
Titullin që iu dha babait të tij, Nano e konsideroi një vlerësim për kontributin e vyer të Thanas Nanos në media dhe politikë. "Babai im u lind në Nokovë, zonë e Lunxhërisë, po iku qysh në fëmijëri jetim nga fshati, ndoqi studimet në Elbasan", tha mes të tjerave ish-kryeministri Fatos Nano, pasi mori në dorëzim titullin, kushtuar të jatit, Thanas Nano.
Thanas Nano punoi për një periudhë të gjatë si Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), si dhe drejtues i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Thanas Nano u nda nga jeta më 22 maj 2008, në moshën 92 vjeçare./ch/