Tiranë, 1 korrik, NOA – Hiqej prej disa kohësh si shefi i Antikorrupsionit në ministrinë e Financave dhe mashtronte qytetarët për para, një rast ky që është hasur shpesh në gjurmimet e ekspertëve të antikrimit ekonomik.
Një 34 vjeçar nga Fieri, Alban Skënder Muço, dyshohej se prej kohësh prezantohej me pozicione të rreme, por tashmë është arrestuar sot nga oficerët e antikrimit ekonomik të policisë së Tiranës.
Sipas policisë, Alban Muço ishte prezantuar herë si shef në ministrinë e Financave dhe në raste të ndryshme edhe si gjyqtar, duke përfituar kështu shuma të konsiderueshme parash dhe të mirash materiale nga qytetarët të cilët mashtronte.
Dorazi ai duke mashtruar kishte krijuar një staf të përbërë nga disa persona si shofer, financierë, të cilëve u kishte premtuar se do tu jepte rroga të mira.
Ndërkohë që këta shtetas i janë vënë në dispozicion me mjetet dhe shpenzimet e tyre në një vlerë të konsiderueshme.
Policia e Tiranës sekuestroi 4 telefona celularë, 1 lap – top si dhe një sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat mashtruesi i përdorte për kryerjen e veprës penale.
Alban Muço po ndiqet tashmë për veprën e mashtrimit për përfitim të ardhurash nga prokuroria e Tiranës.
Mit/NOA