'Inspektimi Financiar'-Bode:P/Ligji Përmirëson Menaxhimin E Financave Publike
TIRANË, 1 Korrik/ATSH/.- Ministri i Financave, Ridvan Bode tha sot në Kuvend se projetkligji i qeverisë "Për inspektimin financiar publik" synon përmirësim thelbësor të menaxhimit të financave publike.
Gjatë debatit në parlament për këtë p/ligj, ministri Bode, tha se domosdoshmëria e hartimit të këtij ligji buron nga angazhimet, që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të proceseve integruese në BE dhe në gjithë reformën komplekse të financave publike.
Sipas ministrit të Financave, projektligji për rëndësinë e tij, ka qënë i debatuar jo vetëm me institucionet e vendit, por dhe ato ndërkombëtare, si Komisioni Europian, i cili asiston nga pikpamja teknike e ligjore reformat e ndërmarra nga vendet që aspirojnë të jenë kandidate në Bashkimin Europian, me qëllim plotësimin e standarteve ligjore.
"Interesi i qeverisë shqiptare ka qënë i madh pasi p/ligji "për inspektimin financiar" ishte pjesë e Udhërrëfyesit të KE-së për liberalizimin e vizave", nënvizoi Bode sot në Kuvend.
P/ligji "Për inspektimin financiar" mbulon të gjitha institucionet që menaxhojnë fonde publike, fondet e BE-së dhe njësitë e qeverisjes vendore për projektet që realizojnë me të ardhurat e veta.
Gjithashtu, në bazë të p/ligjit, pjesë e inspektimit bëhen edhe OJF-të që menaxhojnë fonde të qeverisë apo BE-së dhe inspektimi vjen nga një sinjal i jashtëm ose me kërkesë të një personi publik.
Ministri i Financave do të ketë rolin kryesor në përzgjedhjen e inspektorëve financiarë, detyra e të cilëve është "mbrojtja e interesave financiare të njësive publike kundrejt menaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit dhe korrupsionit (neni 2)", përcaktohet në p/ligj.
Para fillimit të shqyrtimit të tij sot në Kuvend, deputetët e opozitës i kërkuan kryeparlamentares Jozefina Topalli që të mos nxitohen në miratimin e këtij drafti, i cili sipas të majtëve është me të probleme dhe antikushtetues.
"Të marrim kohën e duhur dhe ta shqyrtojmë edhe njëherë p/ligjin në komisionin e ligjeve lidhur me çështjen e kushtetueshmërisë së tij", tha në seancë deputeti socialist Saimir Tahiri./a.s///n.m/