Durrës, 1 Korrik, NOA – Kishin rënë dakord gjatë divorcit të tyre në gjykatë, që të respektonin rregulla të posaçme lidhur me kujdestarinë ndaj djalit të përbashkët, por duket se ish-bashkëshorti nuk ka patur premisa për ta bërë një gjë të tillë.
E në kushte të tilla, gruaja e tij e dikurshme ka qenë e detyruar ta denoncojë në polici.
Ngjarja në fjalë konfirmohet nga burimet policore të Durrësit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, ato kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 38-vjeçarit me inicialet G.L., lindur në Lushnjë e banues në Durrës.
Procedimi ndaj tij filloi bazuar në kallëzimin e bërë në polici nga ish-bashkëshortja e tij, me inicialet S.B., 26-vjeçe, e cila deklaron se ky person ka marrë dy ditë më parë pa pëlqimin e saj djalin e tyre, duke shkelur kështu kushtet e përcaktuara në vendimin e gjykates së Durrësit për divorcin.
Materialet për veprën penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA