English

Kavajë: Qeveria Shqiptare Dhe Be, Së Bashku Për Riintegrimin E Të Miturve

KAVAJË, 1 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani dhe Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, vlerësuan sot rëndësinë e instituteve të rehabilitimit dhe riintegrimit, veçanërisht për moshat e mitura. Gjatë një ceremonie të zhvilluar sot pranë Institutit të të Miturve në Kavajë, ministri Nishani vlerësoi jo vetëm investimin prej mbi 2.7 milionë euro për ndërtimin e kësaj infrastructure moderne, por mbi të gjitha standardet e reja në trajtimin e të miturve dhe riintegrimin e plotë të tyre menjëherë pas kryerjes së dënimit. "Zbatimi i ligjit duhet të shkojë paralelisht me rehabilitimin dhe riintegrimin e të gjitha kategorive sociale", tha Nishani. Ministri theksoi se qeveria shqiptare po kontribuon në krijimin e një fryme të re në shoqëri. Sipas z. Nishani, përmirësimet në sistemin penitenciar do të jenë të vazhdueshme, duke synuar perfeksionimin e standardeve për në Bashkimin Evropian. "Tashmë po punohet për futjen e të dënuarve në skemën e sigurimeve shëndetësore, ndërsa Shërbimi i Provës, përveç katër qarqeve aktuale, do të shtrihet së shpejti edhe në katër qarqe të tjera. Ai bëri të ditur se për trajtimin e të miturve po bashkëpunohet gjërësisht me MASH dhe ministrinë e Punës. Ambasadori Lohan tha se Kavaja tashmë ka Qendrën e parë të riintegrimit, çka përbën një shans të dytë për të dënuarit e mitur, me një vizion afatgjatë dhe gjithëpërfshirës. "Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe UNICEF-in ne synojmë që të miturit e dënuar të marrin arsimin përkatës dhe në të ardhmen të bëhen elementë pozitivë të shoqërisë", tha Ambasadori Lohan. Ndërtimi i strukturës së Institutit të të Miturve në Kavajë është realizuar me një investim prej 2 milion euro, ndërsa për programet e trajnimit të personelit dhe krijimin e mjediseve interaktive për të miturit janë financuar rreth 750 mijë euro, tha z. Lohan. "Bashkë me hartimin e programit të ndërmjetësimit për të miturit dhe asistencën ligjore dhe sociologjike falas për ta, ne po realizojmë edhe trajnimin e gjykatësve, prokurorëve dhe të gjithë personelit që punon me të miturit e dënuar, me një financim prej 1.5 milionë euro nga Agjencia e Zhvillimit ndërkombëtar të Suedisë", nënvizoi Ambasadori Lohan. Instituti i të Miturve në Kavajë ka nisur të funksionojë në tetor të vitit të kaluar dhe ka një kapacitet maksimal prej 48 personash të moshave nga 14-18 vjeç. Në këtë institut trajtohen të mitur të dënuar që kanë kryer vepra të ndryshme penale. Rreth 80 për qind e stafit është civil dhe mjediset janë përshtatur në mënyrë të tillë që të ndjehet sa më pak izolimi. Në sallat e kompjuterave dhe në mjediset e punës për të miturit e dënuar zbatohen programe nga përvoja e vendeve të përparuara si Holanda, Spanja, etj./s.s./
KOMENTE