English

“Konspiracioni botëror”, vjen në shqip bestselleri më i ri i gazetarit David Icke

Tiranë, 1 korrik, NOA - “Shoqëria jonë sundohet nga njerëz të çmendur, që ndjekin qëllime të sëmura. Mendoj se qeverisemi nga fanatikë me objektiva fanatike dhe ka mundësi që të më quajnë të çmendur vetëm për këtë që po quaj tani. Kjo është vetë çmenduria”. Kështu do të thoshte dikur Xhon Lenon, i cili u vra pikërisht nga një i “çmendur” që mendoi se po qëllonte mbi një shëmbëlltyrë të këngëtarit.

Kështu e nis librin e tij të ri “Konspiracioni botëror” gazetari dhe autori i best-sellerit të njohur “Sekreti i madh”, David Icke, libri i të cilit vjen tashmë edhe në shqip nga Taulant Hatia nën botimin e shtëpisë, “Bota Shqiptare”.

Libri prej 780 faqesh, është rezultat i një pune 20-vjeçare, kërkime, referime historike, biografike dhe simbolike, ku Icke, përpiqet të gjejë domethënien e gjërave.

Ai ngre pyetjet se çfarë fshihet pas ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të rënda në historinë botërore? Kush qëndron pas luftërave, atentateve, lëvizjeve politike, si “lindin” liderët politikë, drejtuesit e shteteve?

Të gjitha këto, sipas Icke, nuk janë asfare rastësore, apo të mbështetura mbi punën shumëvjeçare, eksperiencën, etj., por janë rezultat i makinacioneve të fshehta, të cilat gjithsesi, nuk i janë fshehur dot syrit të hulumtuesve dhe të kuriozëve.

“Në mbretëritë e padukshme që ekzistojnë përtej shikimit njerëzor, po ndodh një shndërrim vibrues, një përshpejtim që i nxit mendjet e mbyllura dhe konkrete njerëzore të hapen. Ky shndërrim po i zgjon ata që janë gati të dalin nga gjendja e gjumit hipnotik, i cili i mban skllevër të Dorës së fshehtë, e cila e kryen manipulimin që nga errësira, duke qëndruar pas atij që, në dukje, mban “pushtetin””, shkruan shkrimtari në libër.

Ai vijon më tej në një tjetër paragraf se “Synimi i “popullit të hijeve” është krijimi i një gjendjeje oruelliane globale të kontrollit dhe varësisë totale nën diktaturën drakoniane’ i një vendi ku liria, me të gjitha forcat e saj do të humbë falë mikroçipeve që lejojnë mbikëqyrjen e çdo veprimi, çdo fjale, madje edhe çdo mendimi. Për një kohë të gjatë më kanë kërcënuar dhe përqeshur për shkak të asaj që bëja, por të qeshurat, tani, janë një reagim mjaft i rrallë, pas përvojave të përditshme, që e bën përherë e më të dukshëm realitetin e fakteve”, shkruan David Icke, ende pa nisur shtjellimin e teorisë së tij dhe paraqitjen e fakteve.

Sipas tij thellimi drejt shkaqeve nis me një analizë nga vetja, nga njeriu, për të kuptuar “kush jemi?”.

Duke bërë një krahasim me ndërtimin e kompjuterëve të hard diskut, memories, etj., Icke tregon se mes këtyre humanëve dhe “makinerive” që po pushtojnë botën, ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme.

“Trupi ynë nuk është vetë “ne”, por një kompjuter fantastik biologjik që “ne” e përdorim për të përjetuar këtë realitet. Është një pajisje, një mjet, jo një “ne”, apo një “unë”, shkruan Icke, kur e krahason me një veshje astronauti që përdoret për të shkelur hapësira të tjera.

Icke përpiqet që përmes faktesh të na tregojë se emërtimet “njerëz primitivë”, apo “shoqëri primitive” janë tërësisht naive dhe se “bota” kalon nëpër një “spirale kohe”, ku gjithçka përsërit vetveten, ndërsa citon thënien e kolonelit Xhejms Çërçurd “Qytetërimet kanë lindur, janë shuar dhe janë harruar vazhdimisht. Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Ajo që ka qenë, po ajo që vazhdon të jetë. Gjithçka që mësojmë e zbulojmë ka ekzistuar edhe më parë; shpikjet dhe zbulimet tona nuk janë gjë tjetër, veçse rishpikje dhe rizbulime”.

Ai vë re ngjashmërinë mes statujave të Xhorxh Uashingtonit si dhe Bafometit, zotit satanik, të Semiramidës së Babilonisë dhe Statujës së Lirisë në Nju Jork, etj.

Icke, ofron raste pafund, ku simbole të shoqërive të fshehta, kryesisht masonike, mbushin që nga planimetritë e rrugëve të Uashingtonit, tek Shtëpia e Bardhë, apo simbolet amerikane. çka, për të është një fakt i qartë se nga kush drejtohet bota.

Në rrugën e historisë, Icke ndalet tek luftërat dhe “sponsorët” e saj.

Në Luftën e Dytë Botërore implikon Vatikanin, por edhe hebrenjtë, ndërsa SHBA ka ndihmuar “fshehjen” e kriminelëve nazistë.

Por, ai i afrohet edhe vrasjeve të Kenedëve, e Papës Gjon Pali I, ngjarje bashkëkohore, më pas tragjedisë amerikane të 11 shtatorit, krijimit të Bin Ladenit, zgjedhjes së ish-Kryeministrit britanik Toni Bler, e Presidentëve amerikanë Bush, i vjetër dhe i riu, Klinton e deri tek më i fundit, Barak Obama.

Sipas Icke, çdo ngjarje e ndodhur është e lidhur me tjetrën me fije të padukshme.

mit/NOA

KOMENTE
  • Hajrie Bardhi01:10 - 09 Dhjetor 2010
    Ku mund te marr librat e David Icke for free a mund te me tregoni