English

Korçë: Dyfishohet Numri I Vizitorëve Në Fshatin Turistik Të Voskopojës

KORÇË, 1 korrik /ATSH-Behar Fejzulla/ - Numri i vizitorëve në fshatin turistik të Voskopojës është dyfishuar, krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. Kryetari i komunës së Voskopojës, Nexhip Bacelli tha për ATSH-në, se nga janari deri në 30 qershor, Voskopojën e kanë vizituar 35 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. "Në rritjen e numërit të vizitorëve, këtë vit, ka ndikuar përfundimi i zgjerimit dhe asfaltimit të rrugës Korçë-Voskopojë dhe rritja e kapaciteteve hotelerike", tha ai. Për rritjen e kapaciteteve turistike në Voskopojë, po zbaton një projekt organizata franceze "FERT". Sipas drejtores ekzekutive, Ana Panel, projekti synon zhvillimin e Voskopojës dhe fshatrave të komunës në bujqësi, blegtori, mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. Projekti financohet nga Komisioni Evropian dhe do të zgjasë 10 vjet. Disa ditë më parë, si pjesë tij në Voskopojë u përurua vendosja e sinjalistikës turistike, ku mori pjesë edhe ambasadori i Komisionit Evropian, Helmuth Lohan. Voskopoja, si vend historik i banuar, daton në vitin 1443 dhe kulmin e lulëzimit e arriti në vitet 1740-1750, me tregtinë dhe artizanatin shumë të zhvilluar dhe popullsi prej më se 30 mijë banorë. Aso kohe, Voskopoja radhitej në qytetet më të zhvilluara të Ballkanit dhe kishte akademi, shtypshkronjë, bibliotekë dhe 24 kisha. Sot në Voskopojë ruhen 5 kisha, monument kulture të kategorisë së parë, që tërheqin shumë vizitorë./ch/
KOMENTE