English

Korçë: Këshilli I Qarkut Nderon Bilbilin E Serenatave, Mihallaq Andrea

KORÇË, 1 korrik /ATSH-Behar Fejzulla/ - Këshilli i Qarku të Korçës i dha të enjten titullin "Personalitet i shquar i qarkut" këngëtarit Mihallaq Andrea, që njihet nga korçarët edhe si "bilbil i serenatës korçare". Sekretari i Këshillit të Qarkut, Pëllumb Beqiri tha se, Mihallaq Andrea gjatë diktaturës komuniste u përndoq, pasi kishte një vëlla të arratisur, por talentin nuk j'a vranë dot. Muzikologu, Pandi Bello, tha se ky këngëtar është fenomen social, pasi ka mbijetuar me forcën e talentit të tij edhe pse, që prej rinisë së hershme është invalid, por si fenomen artistik, është bërë shumë i njohur. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ilia Milo i dorëzoi këngëtarit Mihallaq Andrea medaljen "Personalitet i shquar i qarkut" me motivacion: "Për kontribut të shquar si këngëtar dhe instrumentist i serenatës korçare". Vetë këngëtari i përshëndeti të pranishmit me një buqetë këngësh të serenatës korçare. Mihallaq Andrea, ka lindur në vitin 1949 në Korçë, në një familje me tradita qytetare dhe atdhetare. Që në moshë të re ka kënduar dhe kompozuar këngë të llojit të serenatave. Në moshë të re u paralizua, por dhe pse invalid, Mihallaq Andrea formoi personalitetin e tij si këngëtar, kitarist dhe kompozitor, duke u bërë shumë i pëlqyer për publikun e Korçës dhe më gjerë. Në tregun muzikor sot ka 5 albume me këngë, ndërsa është nismëtar dhe organizator i tre festivaleve të serenatës korçare./ch/
KOMENTE