Kryevepra Ballkanase "Zorba", Mbyll Sezonin E Tkob
TIRANË, 1 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit mbylli sezonin e tij artistik me një nga kryeveprat ballkanike, siç ishte baleti "Zorba", me muzikë të Mikis Teodorakis dhe libret të shkrimtarit Nikos Kazanzakis.
Baleti me dy akte "Zorba" u shfaq për herë të parë në skenën shqiptare dhe koreografia e tij u realizua nga Arjan Sukniqi, skenografia nga Platon Bardhi, kostumografia Taulant Pustinës, mjeshtër kori Dritan Lumshi, dhe dirigjent Edmond Doko.
I pranishëm në shfaqjen e baletit "Zorba", e fundit për këtë sezon artistik në TKOB ishte dhe kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha si dhe personalitete të njohura të artit shqiptar.
Një ditë pas përfundimit të kësaj shfaqjeje, dirigjenti Edmond Dako tha në një prononcim për ATSH- në se "Zorba" ishte një vepër që i erdhi për herë të parë publikut tonë dhe ka një avantazh se veç bukurisë së saj si vepër, ajo ka një mesazh universal".
Sipas tij, " 'Zorba' është një balet që i ka kaluar përmasat e kulturës greke dhe është "pronë" e kulturës botërore".
"Bukuria e saj qëndron tek afërsia dhe psikologjia e dy popujve tanë, që përcjellin mirë kulturat e njëri-tjetrit, si nga pikëpamja intonative, ashtu edhe nga pikëpamje estetike e të parit të gjërave", thotë Doko.
Dirigjenti Doko thote se "suksesi i këtij baleti erdhi edhe si rezultat i trupës së baletit të TKOB, solistëve, korit, dhe këngëtares së mirënjouhr Manjola Nallbani", pasi, sipas tij, "ky balet në origjinalitetin e vet nuk është një balet klasik, por ai është i miksuar dhe me vokalin dhe ka një pjesëmarrje të konsiderueshme të korit".
Në rolet kryesore të baletit "Zorba" interpretuan dy balerinët e njohur shqiptarë, të cilët prej gati dy dekadash jetojnë dhe punojnë në Greqi, Altin Koruti në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi në rolin e shkrimtarit Xhon.
TKOB gjatë këtij sezoni artistik ka shfaqur një sërë premierash. Sezoni u çel me premierën "Manon Lescaut", me muzikë të Puçinit. Më pas, në skenë erdhi dhe Rigoletto, e cila ka njohur 3 variante skenike. Pjesë e këtij sezoni ishte dhe baleti shqiptar "Delina", krijim i Çesk Zadesë, i cili u rikthye pas 46 vitesh.
Sezoni i ri nis në tetor me operën e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach "Përrallat e Hoffmanit"./s.s./