English

Kuvend-Bumçi:Rama Përgjegjës Për Problemet E Mprehta Sociale Në Kryeqytet

TIRANË, 1 Korrik/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, bëri sot përgjegjës kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për problemet e mprehta sociale me të cilat përballen sot banorët e kryeqytetit. Gjatë debatit të lirë parlamentar, Bumçi, deputet i kryeqytetit, tha se sot Tirana, vendi ku jetojnë rreth 700 mijë shqiptarë, përballet me më shumë probleme sociale se sa qytetarët e tjerë të Shqipërisë, ku shkak kryesor është mungesa e një plani të përgjithshëm rregullues. "Ndërsa popullsia e Tiranës është trefishuar, sipërfaqja e ndërtuar është më shumë se dyfishuar, sepse ky ka qënë plani i Edi Rramës ta linte një qytet pa plan, dhe ky është burimi i të gjitha problemeve me të cilat përballen qytetarët", tha Bumçi. Duke u ndalur tek problemi e edukimit parashkollor, ai tha se bashkia e Tiranës në dhjetë vitet e fundit nuk ka bërë investime. "Nuk ka fëmijë që shkon në klasë të parë i përgatitur, pasi gjysma e fëmijëve në kryeqytet nuk shkojnë dot në sistemin parashkollor për shkak të mungesës së kopshteve në kryeqytet", tha Bumçi. Sipas tij, shkollat në Tiranë janë me dy turne për shkak të mungesës së tyre. Fëmijët e zonave periferike vijnë në shkollat në qendër të kryeqytetit për të marrë shkollim, pasi kryetari i bashkisë, pavarësisht rreth 18 milionë eurove që u morën nga qeveria shqiptare për shkollat në Tiranë, nuk ka arritur të blejë troje për ndërtimin e institucioneve të reja shkollore. Kjo ndodh, tha deputeti Bumçi, se kryeqyteti është në funksion të një individi prej dhjetë vitesh dhe ky është Edi Rama./a.s/s.s./
KOMENTE