-L-Korrik '90, Arratisja Drejt Lirisë Nga "Burgu" Shqiptar
TIRANË, 1 Korrik /ATSH- Edmond Prifti/.- Dita e 2 korrikut 1990, është shënuar në kalendarin e historisë shqiptare si "dita e rrëzimit përfundimtar të murit të Berlinit", e murit që ndante "me thikë" bllokun lindor komunist e atë perëndimor drejt lirisë; e ëndrrës së kahershme shqiptare.
Hyrja masive e shqiptarëve më datë 2 korrik 1990, në ambasadat perendimore në Tiranë u shoqërua nga regjimi i asokohe me përleshje midis kundërshtarëve të regjimit që tentonin të futeshin në përfaqësitë e huaja të kryeqytetit dhe pasuesve besnikë të Sigurimit të Shtetit.
Deri më datë 2 Korrik 1990 kur u realizua ëndrra, përgjatë muajit qershor '90 pati mjaft të plagosur, por jo-zyrtarisht qarkulluan fjalë se pati edhe një numër të vrarësh që tentonin të kalonin kufirin.
Nga ana tjetër, Sigurimi i Shtetit që ende konsiderohej "i pamposhtur" kishte arrestuar me dhjetëra persona, të cilët kishin protestuar. Rrugëtimin e tyre nuk e mësoi kush...
"Shikoja nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit të policisë ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, e më pas i hipnin në makinat ushtarake tip IFA", ka deklaruar një përfaqësues i trupit diplomatik, i pranishëm asokohe në Tiranë.
Gjatë një interviste dhënë për Deutsche Welle ish-ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Shqipëri midis viteve 1987-1990 , Werner Daum, ka deklaruar ndër të tjerash se "edhe në periudhën e Ramiz Alisë, Shqipëria ishte nën një diktaturë shumë të keqe dhe mua më duhet ta pranoj se, këtë unë nuk e kam kuptuar që në fillim". "Më është dashur të paktën një vit për të kuptuar se Shqipëria ishte një diktaturë e vërtetë".
Retrospektiva: Javë më parë...
Më tej në një rikthim të atyre viteve ish-ambasadori i RFGJ-së në Tiranë, z. Daum ka shtuar se, "se nuk ishin 3200 por 3199; por nuk ishte se shqiptarët erdhën në ambasadën gjermane. Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke. Të parët ishin rreth 15 deri 25 veta, të tjerë shkuan tek ambasada egjiptiane, italiane, e disa shkuan tek ambasada franceze", ka vijuar Daum rrëfimin e tij.
"Dhe unë u dëshpërova që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, e jo tek ne. Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se, që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje dhe se porta e madhe që sheh nga rruga të lihet e hapur që të bjerë në sy. Kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme. Unë nuk mund ta duroja që njerëzit të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane. Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën. Pastaj të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo m'u tha në telefon. Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjët linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra. ", ka thënë Daum.
Ndër të tjerash ai ka përmendur edhe një fakt interesant të cilin e ka mësuar rreth tri vite më parë, duke u shprehur se, " Dy apo tri vite më parë kam mësuar nga ambasori shqiptar në Londër, që asokohe ka qenë shef i kabinetit të Reis Maliles, se qeveria e Ramiz Alisë kishte vendosur ta sulmonte ushtarakisht ambasadën gjermane si dhe ambasadat e tjera, por vihej theksi mbi atë gjermane. Nëse do të ndodhte kjo, atëhere unë nuk do të isha këtu përpara jush, por do të kisha ndoshta një monument në Tiranë. Qeveria ishte e vendosur për këtë sulm, por Reis Malile kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen publikisht dhe do t´i bënte publike të gjitha detajet. Pra, ai arriti ta bllokojë këtë vendim".
Si fakt njihet se, tentativa e parë "e hyrjes" brenda selive të përfaqësive të huaja diplomatike, u shënua 12 ditë më parë.
Më datë 20 qershor, autobusi firzamonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj dhe Edmond Vokshi ndaloi "rastësisht" rreth orës 07.40 pranë mureve të ambasadës greke. Pas kësaj, dy djemtë e rinj hapin baxhon e sipërme të autobusit, e prej andej hidhen në territorin e brendshëm të ambasadës greke, duke e zënë në befasi policinë shqiptare.
Më 23 qershor 1990, kamioni "Liaz" i drejtuar nga Fatos Kaceli, shpërtheu portën hyrëse të ambasadës italiane ndërsa të nesërmen rreth orës 22.00, "Skoda" e drejtuar nga Kastriot Mano çau murin e ambasadës gjermane, duke e shembur atë. Në makinë, përveç shoferit ndodheshin edhe Burhan Kalaja, Gëzim Tota, Ilia Miri e disa të tjerë.
Por "spektakli" më i madh ishte shembja e murit të ambasadës turke me një makinë plehrash dhe disa persona të veshur si punëtorë të komunales. Të vetmet ambasada që nuk pranuan bujtësit e terrorizuar nga regjimi komunist, ishte ambasada kubane dhe ajo kineze.
Hyrja në ambasadat e huaja në Tiranë vijoi edhe pas datës 2 korrik, për ironi të fatit nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte.
Si u prit hyrja në ambasadat e huaja nga opinioni shqiptar
Në kryeqytet, zhvillimet e ngjarjeve të njëpasnjëshme bënë bujë të jashtëzakonshme te njerëzit e thjeshtë, ndërsa instancat e larta qeveritare i terrorizoi. Në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja e radhës e një komedie të re, aktorja Eva Alikaj u tha me zë të lartë organizatorëve: "Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin, përpara kësaj gjendjeje".
Ngjarjet e njëpasnjëshme kishin tronditur rëndë sistemin e kohës. Ndiheshin frakturat. Më 2 Korrik 1990, u nxor një urdhër i Ministrisë së Brendshme me anë të së cilit thuhej se, "të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë".
Pasojat për familjarët dhe trajtimi në ambasada
Tendencat për të kapërcyer murin e përfaqësive të huaja në Tiranë, të parët kishin qenë të persekutuarit e të afërmit e viktimave të komunizmit, gjatë regjimit.
Mbledhjet e Partisë që dukeshin sikur ishin harruar disi, rifilluan sërish gjatë kësaj periudhë me intensitet. Nga kupola komuniste u dha një urdhër i prerë për masat ndaj familjeve të të arratisurve: përjashtim nga Partia dhe largim nga puna, në rastet kur bëhej fjalë për funksione ose punë intelektuale.
Por me sa duket ishte tepër vonë, që diktatura të kamuflonte dështimin.
Arratisja nga Shqipëria-burg
Mëngjesin e nesërm, ende pa u gdhirë mirë, me dhjetëra autobusë u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit.
Njerëz, familjarë apo të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke anashkaluar Laprakën.
Ndonëse u devijua edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në afërsi të Maminasit, autobusët u ndalën rreth 15 minuta. Gjatë kësaj arratisjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj., të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë si "Kujtim, nënës sime", duke bashkëngjitur përreth saj adresën.
Kombi dukej se nuk e kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes... Atë natë, njerëzit filluan të trokisnin nëpër "dyert e adresave" duke çuar sendet e gjetura në rrugë, e pëshpëritnin me lot në sy fjalët: "Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi". (Vijon)/a.gj/