English

-Ll-Korrik '90, Arratisja Drejt Lirisë Nga "Burgu" Shqiptar

ijimi) - Luan Laze: "Thyerja e portës italiane 20 vite më parë"- Satiriku dhe gazetari i mirënjohur, Luan Laze ka rrëfyer për ATSH-në se, më 23 Qershor të vitit 1990, një grup djemsh nga Tirana "sulmuan" dhe shembën me makinë portën kryesore të ambasadës italiane. Ai ishte një prej protagonistëve të kësaj aventure. Ndonëse kanë kaluar më se 20 vite rrjedha e fatit ka qenë e ndryshme për gjithë protagonistët e asaj ngjarje. Pas vëllezërve Popaj, ky ishte akti më i guximshëm i ndërmarrë nga rinia e kryeqytetit, pjesë e jetës vetjake të tyre dhe copëza të historisë shqiptare të agonisë komuniste. Vendimi sipas Lazes u mor së bashku me Maksim Ramën, shokun e tij të fëmijërisë të cilët e kishin ëndërruar një arratisje jashtë vendit prej vitesh. "Bisedonim, thurnim plane, i anulonim dhe sërish bënim të tjera. Ëndrrat tona ishin që unë të bëhesha shkrimtar, ndërsa ai aktor. Duke qenë të dy djem me shpirt të lirë dhe çapkënë, e kishim shumë të vështirë të duronim atë lloj diktature. Këto mendime, Maksin e dërguan në qelitë e burgut, ndërsa mua më kishin vënë nën kujdestari ose siç thoshin operativët, kisha mbetur kontingjent.", vijon rrëfimin e tij, Laze. "Në këto kushte, mendova të arratisem i vetëm, ndonëse e dija se do ta kisha tejet të vështirë. Më 1983, tashmë i martuar, ndërsa ndodhesha me shërbim në Gjirokastër nga gazeta "Puna", kryeredaktor i së cilës ishte Namik Dokle. Së bashku me gruan, bëmë një përpjekje nga Kakavija, por ishte e pamundur. Mbaj mend se kur u kthyem në Tiranë, ajo qante nga gëzimi që nuk ikëm, ndërsa unë duhej të qaja përse nuk ikëm. Ëndrra për t'u arratisur ka qenë në ato vite hobi më i madh i jetës time. Edhe ëndrrat e gjumit i shikoja sikur arratisesha", rrëfen Laze. Miku i Lazes u dënua 14 vite burg. "Kishim lidhje edhe të drejtpërdrejta në takimet e burgut, duke u hequr si djali i tezes, pasi jashtë familjes nuk lejoheshin takime. Në Spaç dhe Zejmen, ku Maksi kaloi pjesën më të madhe të vuajtjes së dënimit, pa praninë e policit vazhdonim të thurnim plane për arratisje, pas daljes së tij nga burgu. Shkoja e takoja në burg, duke menduar se ia kisha hedhur Sigurimit dhe prezantohesha me emër tjetër. Kisha gabuar! Ata e dinin që unë e kisha shok të ngushtë dhe në fund të Majit '89, më thërritën në Komitetin e Partisë, duke më paralajmëruar si për takimet e burgut, ashtu dhe për satirat me aludime që botoja në shtyp. Përderisa nuk po realizoja ëndrrën për t'u arratisur, gjuha dhe lapsi u mprehën më shumë kundra regjimit. Bëja humor, satira dhe sajoja barsoleta". Por koha nuk do ta ndalonte planet e Luan Lazes. "Për çudi, të padurimit dhe dëshpërimit tim për vonesën e arratisjes, ishte Maksi ai që më jepte kurajë. Njërin prej shokëve, që u bë edhe iniciatori për hyrjen në ambasadën italiane, Maksi e kishte njohur në burg. Quhej Burhan Kalaja nga Tirana. Para dënimit Burhani kishte punuar teknik ndërtimi, në minierën e Valiasit. Më 1980, arrestohet dhe dënohet me 12 vite heqje lirie për tentativë arratisje. Në nëntor '89, duke përfituar nga amnistitë të dy lirohen", ka vijuar Laze. Të dy kishin dalë nga burgu me mendimin se veprimi i tyre të mos ishte thjesht individual, "por atë që regjimit komunist t'i shkaktohej frakturë; një e çarë, për t'u bërë kështu edhe frymëzim për të tjerë". Laze ka rrëfyer gjithashtu për ATSH-në se, kurajën ua shtuan Bujar Aliko dhe Edmond Vokshi, i pari shofer autobusi në linjën Tiranë-Uzina e Tankeve dhe i dyti i dënuar njëherë për tentativë arratisjeje, të cilët, javë më parë ata kishin kapërcyer murin e ambasadës greke, me autobusin firzamonikë. Në detaje më tej Laze rrëfen se "të shtunën e datës 23 Qershor 1990, në orën 14.30, Maksi dhe Burhani më morën në shtëpi. Sigurisht, ndarja ishte e dhimbshme, sepse jo vetëm do të largohesha, por edhe do të hidhesha në krahët e një aventure që ndoshta do të më kushtonte jetën. Nuk i harroj ato çaste. Kur nisa të vishem, gruas iu mbushën sytë me lot. Do lija pas shtëpinë, babain, gruan dhe dy fëmijët. Ishte egoizëm. Por atmosfera liberale që ishte krijuar ato dy vite më mbushte me besim se shumë shpejt do të takoheshim përtej detit. Aq më tepër që nga brenda ambasadës greke, dy shokët Bujari dhe Mondi na dërgonin mesazhe se ne nuk duhej të prisnim më". "U vesha, putha djalin një vjeçar në gjumë dhe vajzën që pyeste e habitur: "Ku po shkon babi!?" U ndava me babain. Më pas me gruan, e cila më ndiqte duke zbritur shkallët e pallatit me lot në sy, si në skenat e filmave të Frederiko Felinit. Kisha dhimbje, shumë dhimbje, por jo frikë. Me vete mora disa dorëshkrime të tregimeve satirike me shpresë që t'i botoja jashtë Shqipërisë. Mora edhe disa gazeta "Drita" ku kisha botuar paradokse, që njerëzit e Sigurimit kur më thërritën, cituan njërin prej tyre: "Sikur ta dinte demi forcën e brirëve të tij, nuk do të kishte kasap që ta therte". "Kush është demi dhe cili është kasapi?", më pyesnin me djallëzi. I vetmi që më uroi dhe veçoi këtë satirë midis të tjerave, ishte miku im Teodor Keko. "Kujdes, Leone", më tha, "se këta i kthejnë edhe brirët e demit nga ti"", rrëfen Luan Laze.(vijon)/a.gj/
KOMENTE