English

-Lll-Korrik '90 ,Arratisja Drejt Lirise Nga "Burgu ' Shqiptar

esa e fundit- - Luan Laze: "Thyerja e portës italiane 20 vite më parë"- Në xhade e priste skoda "Liaz". Drejtuesi i saj Fatos Kaceli, punonte në parkun e minierave dhe kishte krushqi me Maksim Ramën. Njerëzve të shtëpisë atë ditë, u kishte thënë se do të shkonte me shërbim në Pukë. Me të ishte dhe një djalë tjetër. "Sapo u nisëm, Fatosi më pëshpëriti me rimë: "Na shkoftë rruga e mbarë, o gazetar!" Diku, pranë ish-shkollës së kuzhinës, aty ku sot është Ministria e Shëndetësisë, makina ndaloi e në të hipën edhe tre djem të tjerë, të cilët unë nuk i njihja. Ishin shokë të shoferit që i kishte lajmëruar të prisnin aty. Njëri quhej Gëzim Tota, ndërsa të tjerët Fatmir Hyka, Lulzim Hasa dhe Ilir Veizi. Fakti që u bëmë kaq shumë më trembi, por pak më vonë kur u njoha më shumë me ta, nisa të çlirohem dhe të më largohej ankthi. Ishin djem trima dhe tepër të vendosur. Pas 15 minutash, makina jonë u fut prapa ullishtës së uzinës "Traktori"". Ndonëse verë, makina e tyre ngeci në një gropë me baltë. Kërkuan ndihmë tek një shofer me makinë "Ziz", i cili ua dha atë, pa e ditur se kë po ndihmonte... ""Ky shoferi", u thosha shokëve, "nëse do të futemi në ambasadë do të arrestohet i pari, sepse na ka nxjerrë nga balta. Armiku i klasës aty e ka vendin dhe ai që i nxjerr, është vetë armik"! Ndërsa Maksi më ngacmonte: "Po të kapën ty Luan, thuaj se po shkoj në Itali të bëj një reportazh!" Edhe në ato çaste nuk e linte humorin". "Më pas, diku ndaluam, duke hequr xhamin e parë të makinës, që copat e tij të mos i binin shoferit në fytyrë por edhe kapakun e motorit. E mbaj mend mirë se të gjithë njëkohësisht bëmë urinën, pasi nuk i dihej... Trimat e bëjnë urinën përpara aksionit, ndërsa frikacakët në të brendshmet dhe në vendngjarje", ka rrëfyer me satirë, Luan Laze. Në orën 16.00 u nisën drejt ambasadës. "Plani ynë ishte që me "Liaz"-in, të thyenim portën e ambasadës italiane dhe të futeshim brenda. Shoferi dhe një tjetër ishin në kabinë, ndërsa ne të tjerët në karroceri. Mbanim për çdo rast në dorë nga një levë hekuri. Kur makina iu afrua me shpejtësi portës, Maksi i foli rrufeshëm Fatosit që të vazhdonte rrugën drejt, sepse gjithçka ishte me rrezik. Dhe kishte të drejtë! Tre policë, para portës nën hijen e pemëve, po bisedonin të shkujdesur, madje një prej tyre ishte ulur dhe para vetes kishte një biçikletë". "Në se makina do të ishte futur në ambasadë, jeta e tyre do të kishte marrë fund, pasi do të shtypeshin. Këtë nuk mund ta bënim. Lirinë tonë nuk mund ta gjenim kurrë duke i marrë jetën tjetrit, qoftë ky edhe polic. Tani, sa herë e kujtoj atë moment, më vjen mirë që Maksi, ndonëse kishte vuajtur në burgjet e diktaturës padrejtësisht, përsëri nuk mendonte për hakmarrje, për të vrarë kundërshtarët e tij. Ai kërkonte liri...", rrëfen Laze. "Bëmë pak debate dhe më në fund vendosëm që unë e Maksi të tërhiqeshim, ndërsa ata të realizonin planin në orën 22:00. Në atë orë, isha pranë ambasadës italiane duke luajtur rolin e një të dashuruari e njëherazi të një spektatori. Pas pak minutash, "Liaz"-i me gjashtë shokët tanë, u duk në kthesë e me shpejtësi shpërtheu portën kryesore duke u futur brenda. Porta prej hekuri kërciti fort pas kangjellave". "Policët mbetën të shtangur. Sapo makina u fut në oborrin e ambasadës, u ndezën të gjitha dritat e saj e pak më vonë e gjithë ambasada u rrethua nga forcat speciale. Zv. ministri i Brendshëm erdhi me urgjencë duke dhënë urdhër të arrestoheshin dy policët e shërbimit, të cilët i futën brenda një makine "Aro". Ata do të dënoheshin, pasi gjashtë djem kishin arratisur të fitonin lirinë brenda burgut që quhej Shqipëri. Lajmërova më pas familjet e disa shokëve dhe u ktheva në shtëpi", vijon gazetari dhe satiristi, Luan Laze. Të nesërmen, lajmi u përhap me shpejtësi të rrufeshme. Në ora 9:00 të mëngjesit bashkë me vëllain e shoferit, Fatosin, kaluam pranë ambasadës për të parë se çfarë po ndodhte. Makina ishte në fund të oborrit dhe askush nuk e kishte lëvizur. "Një natë më parë, kur pashë se si u rrethua ambasada u gëzova që nuk isha futur, pasi mendova se ata mund t'i dorëzonte shteti italian. Ndërsa të nesërmen në mëngjes i kisha zili se, ata ishin në një botë tjetër, ndonëse pak metra larg meje dhe brenda Atdheut. Mendime kontradiktore dhe të çuditshme më vinin. Legjenda në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë thoshte se, atje ishin futur 20 persona, madje të armatosur. Këtë gjë disa ma thanë edhe mua", thotë Laze. Por ngjarjet rrodhën aq shpejt, sa që nuk mund të isha më objekt i ndjekjes apo hakmarrjes së tyre. Me shokët brenda ambasadës italiane, kishim lidhje...", ka vijuar rrëfimin e tij të gjatë, Luan Laze. "Këtë e bënte të mundur shoferi që dërgonte aty furnizimin me ushqime. Mësova se një ish-punonjëse e ambasadës, Gabriela, i ka pritur me mjaft dashuri që në fillim duke u thënë: "Mos kini frikë, qetësohuni, asnjë nuk do t'u dorëzojë!" "Unë dhe Maksim Rama hymë në ambasadën gjermane, por pas disa orësh dola sërish, sepse kushtet ishin shumë të këqija për fëmijët e mi të vegjël. Aty ishin 3200 emigrantë, të cilëve nuk dihej si do t'u shkonte fati. Midis tyre ishte dhe motra ime me të shoqin. Më vonë, pas disa vitesh kam dalë disa herë jashtë vendit, por jo për të qëndruar atje. Vendin e kam dashur dhe dua. Madje shumë, por atëherë urreja regjimin shtypës dhe diktatorial", thotë Laze. Për fatin e mëtejshëm të miqve të tij, Luan Laze e rrëfen duke thënë se "Burhan Kalaja jetoi disa vite në Itali, e tashmë është kthyer në Tiranë me familjen e dy fëmijët e tij. Shoferi Fatos Kaceli, jeton në Itali. I martuar dhe i punësuar atje. Ndërsa me Gëzim Totën, jemi takuar pas 13 vitesh kur ai erdhi në Tiranë dhe më kërkoi. Jeton në Itali me familjen. Me tre të tjerët nuk kam pasur lidhje. Kam mësuar se jetojnë në Itali dhe vende të tjera. Më fatkeqi nga të gjithë ne, ishte shoku im i ngushtë, Maksi, që vdiq nga zemra në Gjermani njëmbëdhjetë vite më parë. M'u kërkua nga nëna e tij Alime, që ai e donte aq shumë, t'i bëja në vargje epitafin mbi pllakën e varrit. E vite më pas vdiq edhe ajo nga trishtimi...". Luan Laze ka rrëfyer përmes detajeve aventurën e tij të 20 viteve më parë. Përmend ndër të tjerash një shprehje duke kujtuar atë kohë: "Atje ku liria e fjalës ekziston, kuptimi i saj e humbet rëndësinë". "Kësisoj mendoj se, liria për mua kishte vlerë vetëm atëherë kur ma ndalonin, dhe jo tani që demokracinë e kam në vendin tim. Këtu, vërtet nuk jam i pasur, por jam i lirë dhe them atë që dua dhe mendoj. Satirat dhe librat ma japin këtë mundësi. Ëndrrën për t'u arratisur nuk e kam pasur për plaçka dhe ushqime. Të isha i lirë, vetëm i lirë, këtë doja!", përfundon Luan Laze. Nëntë ditë pas këtyre ngjarjeve që tronditën asokohe klikën në pushtet dhe çoroditën mendjet e njerëzve, mijëra kundërshtarë të tjerë të regjimit do kërkonin lirinë. Post Scriptum- Ikën nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë, por edhe për të vërtetuar se një popull nuk mund të pranojë bashkëjetesën e përjetshme me të keqen. Shkuan me vetëdije se atje s'do të gjenin kurrsesi parajsën, por për të ndërtuar një jetë të re e të lirë. Gjatë këtyre viteve e në përkujtim të datës 2 korrik 1990, më prekëse ishin sakrificat e atyre shqiptarëve që rrezikuan jetën për të rrëzuar "muret e Berlinit, brenda një toke- burg", që diktatura e kishte betonuar prej më se 45 vitesh./a.gj/
KOMENTE