English

Mediu: Mbetjet e naftës, mos derdhen në kanale

Tiranë, 1 Korrik, NOA – Shkarkimi i ujërave të pista dhe naftës nëpër kanale po sjellin probleme të jashtëzakonshme për ujërat nëntokësore, ndotjen bregdetare por edhe tokat bujqësore në zonën përreth asaj Patos-Marinëz.

Këtë shqetësim ka ngritur gjatë një takimi të posaçëm, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, sipas të cilit, kjo problematikë duhet trajtuar me mjaft kujdes për impaktin që ajo ka në aspektin mjedisor në tërësi.

“Ne nuk duhet ta trajtojmë atë vetëm si problem të një kompanie apo të zonave naftë-mbajtëse, por si një problem kompleks zgjidhja e të cilit duhet të kthehet në një prioritet për ministrinë e Mjedisit”, u shpreh ai.

Duke shtuar se “]për ne si ministri e Mjedisit, çështja e zonës Patos-Marinëz është një çështje që duhet trajtuar thellë për impaktin e saj në mjedis dhe menaxhimin sa më të mirë të mbetjeve të hidrokarbureve”.

Sipas tij, kushtet mjedisore për çdo operator, duhet të jenë të matshme.

“Ne vlerësojmë investimet që janë bërë deri tani për impiantet e pastrimit nga ndotja, por duhet bërë akoma më shumë”, apeloi kreu i Mjedisit.

Duke pohuar se kjo nuk mbetet vetëm detyrë dhe përgjegjësi e kompanisë “Beckers Petrolium”, i cili e ka marrë përsipër pastrimin e zonës Patos-Marinëz nga mbetjet e naftës, por duhet kthyer në një aksion kompleks.

n.e/NOA

KOMENTE