English

Migjeni ende proteston në periferi të Tiranës

Jam bindur se disa nga ju që njohin vetëm Rognerin e Sheratonin, nuk i besojnë këto gjëra, dhe mendojnë, se ne e bëjmë për të dobësuar politikën që njeh "qeveria e sukseseve" por realiteti më se i vërtetë

Xhemal Qefalia*

U bë mëse një vit që në Shqipëri dhe jo vetëm këtu, diskutohet për zgjedhjet e 28 qershorit.

Opozita vazhdon ti qëndrojë konstant kauzës së saj për transparencë e vetëm transparencë, duke bindur tashmë çdo shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë se vota e tyre është transformuar dhe përshtatur jo sipas vullnetit të votuesit, por sipas dëshirës së pushtetit, askush tashmë nuk dyshon se ajo është vjedhur e lexuar keq por insistimi ynë dhe gjithë shqiptarëve është deri çfarë përmasa ka ndodhur.

Qëllimi ynë është ajo që një kolegu ynë deputet është shprehur "nuk duam të ngjallim zgjedhjet që ikin por duam që të gjejmë diagnozën që të mos na vdesin dhe ato pasardhëse”

Por, meqenëse për këtë problem është folur shumë dhe, natyrisht, do të vazhdojë të flitet deri në transparencën e çdo vote, doja të ndalësh në disa problem të cilat janë shqetësuese që kanë të bëjnë përsëri për krizën, por në një krizë që përfshin gjithë vendin krizën ekonomike.

Si përfaqësues (deputet) i qarkut të Tiranës (më saktë rrethit Tiranë) pra i asaj zone që rrethon metropolin shqiptar, e cila ka një popullsi mbi një çerek milioni, më vjen keq ta them, por është e vërtetë është ndër zonat më të varfra në vend.

Gjithsesi jam krenar që jam përfaqësuesi tyre pasi vota ka qenë masive për PS ishte votë për të sjellë më së fundi pas 20vjetësh ndryshim e jetës të këtyre njerëzve, që natyra u ka falur gjithçka, por politikat që janë ndjekur ndaj saj ka qenë fatale, kjo ka bërë shumë familje ti braktisin shtëpitë e tyre, apo të shesin tokat, pronat e tyre.

Është për të ardhur keq që në zgjedhjet e 2009 disa prej tyre të gjendur në presionin e varfërisë nuk arritën të shprehin me votë realitetin e jetës tyre, pasi në disa raste u konvertua me heqjen apo dhënien e ndihmës ekonomike që varion nga 2mijë të vjetra

Por gjithsesi e ndej të paktën detyrim moral për të gjithë ato banorë të majtë apo të djathtë të paraqes nga vetëm disa nga problemet e përditshme të tyre kryesisht ekonomike, që vijnë përditë e keqësohen, ndërsa nga ana tjetër(qeveria) bën propagandë për një ekonomi entuziaste, bile aq e madhe është kjo propagandë, për rritje të madhe të nivelit të ekonomisë saqë të krijohet përshtypja që vendet që janë në krizë (si Greqia, Italia, apo Portugalia) qytetarët e tyre janë duke marrë rrugët e mërgimit për të arritur në vendin me bumin ekonomik më të madh, në Shqipëri. Por le të flasim konkretisht

1-Gjendja e rënduar ekonomike dhe shtimi i familjeve në nevojë.

Vetëm gjatë vitit 2009 numri familjeve në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike nga 3600 ka rritur në 5200 ose thënë ndryshe 69% më shumë se një vit më parë (ku dhe këtu bëhen seleksionime politike).

Sipërfaqja e të mbjellave në këto zona ka rënë ndjeshëm pasi mungojnë politikat dhe strategjitë për të nxitur këta banorë të merren me bujqësinë, si të vetmen alternativë të momentit, prodhimi i tyre ose kalbet ose hidhet në lumë pasi tregun e mbushin vendet fqinje.

2-Ju flisni për moshë dixhitale dhe internet në çdo shkollë.

Shkoni në një fshat që quhet Masdajt dhe shikoni shkollën atje dhe Migjeni po të ishte gjallë do të protestonte pasi në atë(një klasë) ditën bëhet mësim, ndërsa natën qëndrojnë bagtitë.

Ose mos u lodhni se për të shkuar atje duhen nja 2orë, shkoni këtu afër shumë afër mbi Kinostudio, mësimi këtë vit u bë me tre turne, ku nxënësi i klasës së parë flinte ditën se në turnin e tretë kishte mësim.

Mirë ky vit kaloi por cdo bëhet për vitin e ri mësimor ku presin rreth 820nxënës si do të zgjidhet apo do të bëhet me 4 turne!?

3-Ju flisni për infrastrukture dhe shtrim rrugësh

Këtu nuk kam fjalën për rrugën Dajt-Tiranë pasi aty është gjetur zgjidhe me teleferik (sepse shqiptarët janë të pasur) dhe rruga nuk duhet shtruar se komunën e drejtojnë të majtë dhe në zgjedhje nuk dolëm mirë.

Por cpo bëhet me rrugët e atyre komunave ku pushteti drejtohet nga të zgjedhurit tuaj, për fat të keq gjendja është skandaloze, si psh Tiranë-Zallbastar, apo ajo Shëngjergjit ku duhen 3 orë për të ardhur në qytetin e tyre, ndërsa rrugën Kërrabës e niset para fushatës dhe e ndërpretë sa morët vesh rezultatet e votimit.

E solla këto shembull për kuptuar se realiteti në këto zonë është trishtues.

Jam bindur se disa nga ju që njohin vetëm Rognerin e Sheratonin, nuk i besojnë këto gjëra, dhe mendojnë, se ne e bëjmë për të dobësuar politikën që njeh "qeveria e sukseseve" por realiteti më se i vërtetë.

Po të shkoni në kodër Vilëz, të Zallbastarit, në Vrap të Baldushkut në Qenam të Zallherir në Kllojkë të Berzhitës në Hekal të Petrelës apo në fshatin Brrare dhe shikoni si jetojnë ata njerëzit që janë dhe votuesit tuaj, ku varfëria është ulur këmbë kryq si në mesjetë.

Të nderuar kolegë për ju fajin e ka gjithmonë opozita dhe lideri saj.

Natyrshëm shumë njerëz pyesin; Pse asgjë nuk ka gabim kjo qeveri?

Keni kurajon dhe pranoni se këto janë vetëm një pjesë e realitetit shqiptar, por ju keni frikë ta bëni këtë sepse dalin të palarat e premtimeve boshe.

Është në natyrën tuaj ti shmangeni gjithshkaje, trasparencës, të vërtetë luftës kundër korropsioni e tjerë. Ja disa nga faktet:

-Kur ne dhe ndërkombëtarët ju themi hajde tëe zgjidhim krizën

Ju thoni hajde të gjejmë komromis për Sheshin Skënderbej

-Kur ne, por jo vetëm ne, ju themi të gjejmë kompromisin se kriza po përkeqëson cdo ditë familjet shqiptare.

Ju thoni si do të bëjmë për maskrën e Tivarit.

Kur ne pranojmë të futemi në parlament për të gjetur rrugët e duhura ligjore.

Ju të alarmuar nga prezenca jonë- shpejt të ndryshojmë rregulloren. Dhe me qëllim që të kontrollojmë vota për miratimin e dekreteve të bëhet votim i hapur duke i bërë një tjetër atentat demokracisë.

Do t’ju drejtohesha miqësisht kolegë deputetë- Mos qëndroni gjithmonë në komandën gatitu! Por të paktën jo me zë thoni komandën qetësohu në mendjen tuaj. Pasi ju jeni njerëz (personalisht kam konsideratë për një pjesë tuajën për vlerat intelektualë që mbarti)ju keni gustot tuaj shijet tuaj nuhatjen tuaj thënë shqip shqisat tuaja pra respektoni veten dhe njerëzit që ju kanë votuar duke pranuar që veprimi që bëtë duke ndryshuar rregulloren kufizon lirinë parlamentare.

Pavarësisht cfarë po ndodh ne besojmë se demokracia do të fitojë jo shumë vonë. Këto janë grahmat e fundit e pakicës që sillet si shumicë që zvogëlohet për ditë në mendjet e njerëzve të këtij vendi.

Dhe së fundmi më lejoni të lexoj një mesazh që më ka dërguar një miku im që ka ndjekur situatën politikë në vend për trasparencën.

"Nuk ka asgjë për tu cuditur që kërkohen të digjen fletët e votimit, bile mazhoranca të bëjë një amendament në ligj ku djegia e fletëve të votimit të bëhet bashkë me kutitë, madje të digjen dhe personat që cojnë kutitë te zjarri, e në fund të digjet dhe ndërtesa ku kutitë kanë qëndruar dhe para se të thuhet ky ligj hyn në fuqi menjëherë të saktësohet dhe fati i hirit të këtij zjarri të madh, për të njoftuar shoqëritë ajore që për të shkak të tymit të ndërpriten fluturime për dy javë"

(*) Fjala në Kuvend e deputetit të PS, pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të NOA

KOMENTE