Prishtinë, 1 korrik, NOA – Kryerja e hetimeve për korrupsion që po zhvillohen në nga ana e EULEX-it në ministrinë që ai drejton, nuk do ta detyrojë aspak ministrin e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës që të japë dorëheqje nga posti që ai mban.
Një fakt të tillë ai e ka bërë me dijeni duke pohuar se është i gatshëm që të përballet me çfarëdo hetimi kundrejt tij.
Por Fatmir Limaj ka theksuar se si kusht për vazhdimësinë e hetimeve do të vinte sugjerimin që me këto hetime të merren prokurorët e Kosovës.
Ministri Limaj tha më tej gjatë një konference për shtyp, se do të vazhdojë të punojë për të mirën e këtij vendi dhe se gjyqtarët më të mirë të punës së tij, siç tha ai, do të jenë qytetarët e Kosovës.
"Ata ma vlerësojnë punën time dhe të ministrisë që drejtoj", u shpreh Limaj, duke injoruar kështu vendimet dhe veprimet që kanë ndërmarrë ekspertët e EULEX ndaj tij dhe ministrisë që drejton.
"Në një vend tjetër, do të duhej që ministria, e cila ka punuar në këtë mënyrë, të merrte mirënjohje", u shpreh ai. n.e/NOA